Atentat i dështuar në Elbasan, i bllokohet arma autorit, një 50-vjeçar i shpëton mrekullisht një tentative vrasjeje

Nga Xh M
722 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 15 gusht Zhurnal.mk – Një ngjarje e rëndë ka tronditur mesditën e së shtunës qytetin e Elbasanit, ku një 50-vjeçar i ka shpëtuar mrekullisht një tentative vrasjeje. Ngjarja, e cila ka ndodhur rreth orës 13:00 në ambientet e një lokali të mbushur me klientë në lagjen “28 Nëntori”, ka zgjatur vetëm pak sekonda, por ka mjaftuar për të shkaktuar panik të madh mes të pranishmëve.

Dinamika e këtij atentati të dështuar është zbardhur përmes pamjeve të kamerave të sigurisë. Objektivi i sulmit, shtetasi me inicialet E.K., i veshur me bluzë të zezë, fillimisht ndodhej brenda ambienteve të lokalit. Pasi ka kaluar përmes ambienteve të jashtme, ai është ndalur për pak sekonda. Pikërisht në këtë moment, lëvizjet e tij janë ndjekur në distancë nga autori i dyshuar, shtetasi P.B., 52 vjeç. Pamjet tregojnë se autori ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë nga një çantë trupi dhe ia ka vendosur në kokë 50-vjeçarit, por fatmirësisht arma i është bllokuar në momentin e shkrepjes.

Objektivi ka reaguar me shpejtësi, duke e shtyrë atentatorin dhe duke u larguar me vrap nga vendngjarja.

Pasi e ka ndjekur për disa metra në këmbë, 52-vjeçari ka hequr dorë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes. Arratia e tij, megjithatë, ka qenë e shkurtër falë ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të rendit, të cilat finalizuan operacionin e koduar “Reagimi”.

“Pas marrjes së njoftimit shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit,” theksohet në njoftimin zyrtar të uniformave blu, të cilat shtojnë se “falë reagimit të menjëhershëm dhe veprimeve profesionale u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit P. B.”

Operacioni policor

Gjatë operacionit policor, grupi hetimor arriti të lokalizojë dhe të bllokojë edhe armën e dyshuar të krimit.

“Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin,” konfirmon Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan.

Deri në këto momente, motivet që fshihen pas këtij atentati të mbetur në tentativë janë të paqarta. Policia dhe Prokuroria po punojnë paralelisht për mbledhjen e provave shtesë dhe dëshmive nga vendngjarja.

“Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit,” përfundon deklarata zyrtare e Policisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër