“Aty ku vepron gjyqtari, ekzekutivi hesht”, Gogu: Drejtësia nuk certifikohet me një vendim, por provohet çdo ditë

Nga D. V.
469 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu ka vënë në qendër të reflektimit të tij të fundit raportin mes pavarësisë së drejtësisë dhe përgjegjësisë së ekzekutivit, duke theksuar se ndërhyrja në çështjet konkrete gjyqësore është një kufi që ministri nuk duhet ta kapërcejë.

“Aty ku vepron gjyqtari dhe prokurori, ekzekutivi hesht”, shkruan Gogu në të parin nga tre shënimet që pritet të publikojë gjatë verës.

Sipas ministrit, roli i Ministrisë së Drejtësisë nuk është të gjykojë çështje konkrete apo të ndikojë në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve, por të krijojë kushtet që sistemi i drejtësisë të funksionojë, të jetë i kuptueshëm dhe të mund të matet nga qytetarët.

Gogu thekson se pavarësia e drejtësisë dhe e drejta e qytetarëve për ta kuptuar atë nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Sipas tij, transparenca dhe shpjegimi i vendimmarrjes janë të rëndësishme për forcimin e besimit të publikut te sistemi.

“Një vendim i pashpjeguar krijon hapësirë për keqinterpretim dhe dëmton besimin publik”, argumenton ministri.

Në këtë këndvështrim, Gogu vlerëson se suksesi i reformës në drejtësi nuk duhet të matet vetëm përmes numrit të ligjeve, strukturave apo dosjeve të trajtuara, por edhe përmes përvojës së qytetarit në kontakt me sistemin e drejtësisë.

Sipas tij, rëndësi kanë elementë konkretë, si koha e pritjes së qytetarit, lehtësia e aksesit në drejtësi dhe aftësia për të kuptuar vendimet që shteti merr në lidhje me të.

“Drejtësia nuk certifikohet me një vendim. Ajo provohet çdo ditë”, përfundon Gogu.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër