Kontrolle me dronë dhe makina inteligjente, 1081 gjoba në një javë ne Dibër

Nga D. V.
567 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 gusht, Zhurnal.mk – Policia Rrugore e Dibrës ka intensifikuar monitorimet në të gjitha akset rrugore të qarkut, me përdorimin e dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve dhe menaxhimin e trafikut gjatë sezonit veror.

Sipas Policisë së Shtetit, kontrollet janë përqendruar veçanërisht në evidentimin dhe ndëshkimin e drejtuesve që drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, kryejnë parakalime të gabuara apo qarkullojnë me mjete me xhama të errësuar të pahomologuar.

Si rezultat i monitorimeve të zhvilluara gjatë periudhës 3–10 gusht, janë arrestuar 3 drejtues mjetesh, ndërsa 2 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprat penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Gjatë së njëjtës periudhë janë vendosur 1081 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Nga këto, 56 masa janë vendosur për parakalime të gabuara, 75 për tejkalim të shpejtësisë së lejuar, 540 për ndalim ose qëndrim të gabuar, 141 për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse, 6 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit dhe 4 për përdorim të xhamave të errësuar të pahomologuar.

Ndërkohë, 259 masa janë vendosur për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Policia Rrugore bën të ditur se kontrollet do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale të qarkut, duke përdorur mjetet bashkëkohore të monitorimit, me synim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Policia Rrugore e Dibrës u ka bërë apel drejtuesve të mjeteve të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit dhe të kontribuojnë në rritjen e sigurisë në rrugë.

Gjithashtu, qytetarët ftohen të denoncojnë çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor në numrin pa pagesë 112.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër