Tiranë, 4 shtator, Zhurnal.mk – Avokatët e huaj të kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë bërë kërkesë pranë SPAK për një takim të dytë me të më 10 shtator.
Sipas kërkesës së avokatëve, takimi lidhet me përgatitjen e aplikimit për dërgimin e çështjes së arrestit me burg të Veliajt në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
Në takimin e parashikuar për 10 shtator, sipas avokatëve Veliaj pritet të firmosë dokumentet për apelimin që do t’i drejtohet Gjykatës së Strasburgut.
Hapi i avokatëve vjen pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me çështjen e kryebashkiakut.
Kushtetuesja ka rikthyer për shqyrtim në Gjykatën e Lartë çështjen e masës së sigurisë ndaj Veliajt, duke kërkuar një arsyetim më të qartë mbi nevojën e vijimit të arrestit në burg dhe moszëvendësimin e tij me një masë më të butë.
Gjykata e Lartë ka caktuar datën 15 shtator, ora 09:30, për shqyrtimin e masës së sigurisë ndaj kryebashkiakut të Tiranës.
Veliaj ndodhet në masën “arrest me burg” që prej 10 shkurtit 2025.
Sipas SPAK, ndaj Veliajt rendojnë 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv në 9 raste, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.
