Avokati i Popullit nis hetimin e veprimeve të policisë ndaj protestuesve, takon aktivistët e proceduar

Nga D. V.
685 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 18 qershor, Zhurnal.mk – Avokati i Popullit, Endrit Shabani, priti sot një grup aktivistësh të cilët kanë ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar dhe ndaj të cilëve, policia ka nisur procedime penale.

Mbi bazën e ankesës së tyre, institucioni ka nisur verifikimin e veprimeve të deritanishme të policisë.

Aktivistët pretendojnë se procedimet ndaj tyre janë të pabazuara dhe synojnë dekurajimin e të drejtës së tyre për të protestuar.

Avokati i Popullit po vlerëson nëse këto veprime të policisë përmbushin parimet e proporcionalitetit dhe domosdoshmërisë, sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Nenit 11 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“E drejta për të protestuar paqësisht është e drejtë themelore dhe duhet garantuar me çdo kusht. Kur policia procedon qytetarë vetëm sepse protestuan, barra e provës nuk është tek protestuesit por te policia, e cila duhet të vërtetojë që ata realisht kanë shkelur ligjin”, deklaroi Shabani.

Avokati i Popullit do të vijojë hetimin administrativ ndaj sjelljes së policisë për tu siguruar se në çdo rast e drejta për tubim të mos cenohet.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër