RMV, Greqia, Serbia dhe Kroacia do të investojnë së bashku në Korridorin 10

Nga D. V.
2,223 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 18 qershor, Zhurnal.mk – E qartë është përkushtimi për përmirësimin e infrastrukturës në rajon dhe janë përcaktuar parimet dhe drejtimet që së bashku do të investojmë në ndërtimin e Korridorit hekurudhor 10, tha zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski, gjatë pjesëmarrjes në samitin për investime në transport “Sigurimi i rritjes dhe konkurrueshmërisë përmes lidhjes”, që po mbahet sot në Selanik.

Për këtë përkushtim, siç theksoi ai, flet edhe organizimi i samitit nga Bashkimi Evropian. Ai nënvizoi se BE-ja është e përfaqësuar në nivelin më të lartë përmes komisionerit për transport dhe mobilitet, Apostolos Tsitsikostas, ndërsa në nivel të lartë janë të pranishëm edhe përfaqësues të qeverive të Maqedonisë, Greqisë, Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnjës dhe Hercegovinës, Kroacisë dhe Sllovenisë.

Korridori hekurudhor 10, sipas vlerësimit të Nikoloskit, përfaqëson të ardhmen për zhvillimin e tregtisë dhe përparimin e porteve në rajon. “Prandaj më gëzon fakti që, përveç vendit tonë, edhe Greqia, Serbia dhe Kroacia dhanë përkushtim të qartë se do të investojnë në Korridorin 10, gjë që edhe më shumë e thekson rëndësinë e investimit tonë në ndërtimin e hekurudhës së shpejtë që do të operojë në Korridorin 10. Ky është korridori ekonomikisht më dinamik dhe më i rëndësishëm, dhe diçka që do t’i sjellë përfitim dhe arsyetim ekonomik Maqedonisë”, deklaroi Nikoloski, i cili ishte folës në panelin “Realizimi i zgjerimit të TEN-T: Prioritetet e infrastrukturës dhe sfidat investuese në Ballkanin Perëndimor”, raportoi MIA.

Nikoloski theksoi se në Korridorin 10 tashmë ekziston autostrada nga kufiri verior deri në atë jugor dhe se po punohet për modernizimin e saj. “Së bashku me Bankën Botërore po punojmë për futjen e sistemeve inteligjente të transportit, projekt që pres së shpejti të nisë zbatimin, si dhe për përmirësimin dhe përshpejtimin e sistemeve që lidhen me doganat.”

“Kur e shohim të gjithë këtë në tërësi, dita e sotme është një mesazh i madh se rajoni ka perspektivë dhe se rajoni po e ruan dhe po e forcon pozitën e tij. Maqedonia, veçanërisht si kryqëzim i dy korridoreve panevropiane – Korridori 8 dhe Korridori 10 – po fiton rëndësinë e saj gjeostrategjike”, tha Nikoloski.

Në fokusin e samitit është zbatimi i zgjerimit të TEN-T, Korridori Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor. Në prani të institucioneve financiare ndërkombëtare po shqyrtohen mënyrat për përmirësimin e koordinimit të donatorëve, forcimin e përgatitjes së projekteve, rritjen e pjesëmarrjes së sektorit privat dhe shndërrimin e prioriteteve të lidhjes në investime konkrete.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër