Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi në seancën e sotme plenare të Kuvendit, ku po shqyrtohet miratimi i projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes së pranimit të Republikës së Shqipërisë, e përfaqësuar nga Kryeministri Edi Rama, në Kartën e Bordit të Paqes”, se kryeministri Edi Rama do të jetë në Shtëpinë e Bardhë, si mik i presidentit Donald Trump, për të firmosur autorizimin që do t’i japë sot Parlamenti.
Duke iu drejtuar deputetëve të opozitës, ai u shpreh se, “sipas porosisë, por edhe sipas vlerës dhe rëndësisë, kokën poshtë, dorën lart dhe votoni marrëveshjen”.
Duke iu drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, Balla tha se “ne, pa u zbardhur përgjegjësia jote sa i përket urdhrave për vrasjen e katër shqiptarëve më 21 Janar, kjo forcë politike nuk ka për t’u tërhequr kurrë. Këtë ngulite mirë në mendje”.
Balla theksoi se, “kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me katër dëshmorë apo me shumë të plagosur të tjerë, por ka të bëjë me një prej ngjarjeve më të rënda në historinë e këtij vendi, e cila erdhi, në fakt, si një ripërsëritje e një përpjekjeje tjetër tënden për të qëlluar mbi popullin: në vitin 1997, kur urdhërove avionët të qëllonin mbi popullin e Jugut, dhe në vitin 2011, kur urdhërove të qëllohej mbi popullin opozitar në shesh”.

