Balla: Nuk ka asnjë kërkesë për imunitetin e Ballukut

Nga D. V.
563 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla konfirmoi sot se “nuk ka ardhur asnjë kërkesë në Këshillin për Rregulloren dhe Mandatet lidhur me imunitetin e Belinda Ballukut”.

Në një prononcim për mediet jashtë sallës së Kuvendit, Balla iu përgjigj interesimit të gazetarëve për këtë çështje, ndërsa u shpreh se “nuk ka një kërkesë të tillë”.

“Në raste kërkesash të ngjashme brenda 48 orëve njoftohen menjëherë anëtarët e Këshillit për Rregulloren e Mandatet. Edhe unë jam njëri prej anëtarëve të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, nuk ka një njoftim të tillë. Dhe unë e kuptoj që lajme të tilla të rreme në këto kohë dezinformimesh janë të përditshme, por e konfirmoj që nuk ka një lajm të tillë”, shtoi Balla.

Po ashtu Balla komentoi edhe lajmin e publikuar për heqjen e non-gratës së Sali Berishës.

“Pashë që po bëhet edhe një zëdhënie në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit. Pa e bërë ju pyetjen, po e jap unë përgjigjen. E thashë edhe në seancë, po e përsëris dhe këtu: do të komentoj për një lajm që qarkullon si gjoja si një sukses i protestës, se protesta ja paska arritur qëllimit duke hequr non-gratën e Sali Berishës”, tha Balla.

Balla theksoi se do ta komentojë këtë vetëm kur të ketë një njoftim zyrtar, sikurse ka ndodhur në 19 maj të vitit 2021.

“Pra kur ka pasur një njoftim nga Sekretari Amerikani i Shtetit në atë kohë. Sapo të ketë dhe një njoftim nga Departamenti Amerikan i Shtetit, kushdo qoftë ai, apo nga Ambasada Amerikane në Tiranë, do ta komentoj. Në vlerësimin tim Sali Berisha është shpallur non grata për korrupsion të nivelit të lartë dhe për minim të demokracisë. Fakti që ka një proces penal me akuzën për korrupsion, besoj fort në drejtësinë shqiptare”, shtoi ai.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër