Tiranë, 25 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se opozita nuk ka mandat për të përfaqësuar protestuesit dhe se Partia Demokratike nuk mund të flasë në emër të protestës së zhvilluar në Tiranë.
Në një prononcim për mediet, Balla tha se gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve u ka kërkuar përfaqësuesve të opozitës të sqarojnë se me çfarë mandati paraqiten si zëdhënës të protestës.
“I kam pyetur përfaqësuesit e opozitës në Konferencën e Kryetarëve se me çfarë mandati kanë ardhur si zëdhënës të protestës, por nuk mora asnjë përgjigje. U kam bërë të qartë se nuk i njoh si përfaqësues të protestuesve”, u shpreh Balla.
Sipas tij, Partia Socialiste pranon që çdo grupim apo përfaqësues i protestuesve të paraqesë kërkesat e tyre, por jo Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.
Balla akuzoi opozitën se ka ndryshuar përmbajtjen e kërkesave të protestuesve, duke shtuar çështje që sipas tij lidhen me interesat e saj politike.
“Po t’i merrje kërkesat që kishte sjellë opozita dhe si lexim i kërkesave të protestës, dhe ato që vetëm numri ishte i njëjtë 5. Dhe vetëm pika e parë e kërkesës ishte njëjtë, dorëheqja e qeverisë. Pastaj opozita në emër të protestuesve kishte sjellë nja 4 halle të veta”, tha ai.
Balla theksoi se, protestuesit kanë artikuluar kërkesa që lidhen me ndryshime kushtetuese, reformimin e Kodit Zgjedhor dhe ngritjen e një qeverie teknike me mandat 12-mujor.
Në këtë kuadër, ai theksoi se anëtarët e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve i kanë bërë të qartë opozitës se nuk e njohin si përfaqësuese të protestës.
Balla u bëri thirrje organizatorëve të protestës të sqarojnë publikisht nëse Partia Demokratike ka mandat për t’i përfaqësuar ata në institucionet politike.
Ai shtoi se sapo në Kuvend të mbërrijë një kërkesë zyrtare me shkrim nga protestuesit, do t’u kthehet përgjigje institucionale edhe atyre.
