Tiranë, 29 shtator, Zhurnal.mk – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar arrestimin e ish-kreut të SHISH, Vlora Hyseni, e cila po hetohet nga SPAK.
Duke folur nga Kryesia e Kuvendit, Balla tha se nuk do të komentojë përmbajtjen e dosjes së SPAK, ndërsa theksoi se çdo person ndaj të cilit vendoset një masë kufizuese e lirisë duhet ta kundërshtojë atë në gjykatë.
“Unë bëj pjesë në ata që nuk i komentojnë dosjet e SPAK, nuk kam komentuar as dosjet ku kam bërë akuzë unë, rasti i Sali Berishës dhe s’kam komentuar asnjëherë përmbajtje të dosjes. Me vendim gjykate, tanimë jemi të ndaluar për të komentuar mbi copëza bisedash. Janë dy standarde që ky grup parlamentar, mazhorancë, shumicë, i ka përcaktuar.
Ne nuk hyjmë në meritën e dosjeve, nuk komentojmë përmbajtjen e dosjeve dhe çdo zyrtar duhet ta kontestojë kufizimin e lirisë të të gjitha formave në gjykatë. PS nuk është avokate mbrojtëse e askujt.
Në rastin e personave me mandat parlamentar, Kuvendi i Shqipërisë përmes së drejtës që i ka dhënë sovrani, e ka ushtruar këtë të drejtë dhe dua të rishpreh që Shqipëria sa i përket pjesës që lidhet me kufizimet e lirisë para vendimit të gjykatës, duhet t’i japë fund kësaj praktike. Hyni në ChatGPT dhe pyeteni kush është delja e zezë e Europës”, tha Balla.
