Balla: SPAK të hetojë deri në fund Hysenin, Kuvendi nuk zëvendëson prokurorinë

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 08 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi në Kuvend ndaj deklaratave të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, lidhur me publikimin e videove intime, si dhe kërkesës së opozitës për mocion me debat mbi hetimet ndaj ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.

Balla dënoi publikimin e materialeve intime, duke u shprehur se gratë dhe vajzat duhet të ndihen të mbështetura dhe se personat përgjegjës për publikimin e tyre duhet të marrin dënimin e merituar.

Sa i përket kërkesës së opozitës për mocion me debat, Balla tha se informacionet e referuara në kërkesë lidhen me një hetim të Prokurorisë së Posaçme (SPAK).

“Informacionet që i referoheni në kërkesë vijnë nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme dhe më vjen mirë që, kur ua do interesi juaj politik, ju i referoheni informacioneve të Prokurorisë së Posaçme nga hetimet e një dosjeje të tyre”, tha Balla.

Ai theksoi se qëndrimi i mazhorancës është që SPAK të vijojë hetimet dhe të zbardhë çështjen deri në fund, duke shprehur mbështetjen për institucionin e drejtësisë.

“Qëndrimi ynë është që ne presim që organi i akuzës ta hetojë dhe ta zbardhë deri në fund çështjen. I shprehim mbështetjen tonë Prokurorisë së Posaçme, të cilën të gjithë ne këtu, edhe me votimin e sotëm, do të votojmë pro që ta lëmë të bëjë punën e vet”, u shpreh ai.

Balla tha se reforma në drejtësi ka vendosur parimin që çështjet penale të hetohen dhe gjykohen nga organet e drejtësisë dhe jo nga politika.

“Koha kur politika gjykonte vetveten ka përfunduar njëherë e përgjithmonë me reformën në drejtësi. Pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë mbivendosje, përmes një procesi të pavarur të hetimit dhe gjykimit”, deklaroi Balla.

Ai shtoi se çdo çështje duhet t’i drejtohet SPAK-ut dhe se prokuroria duhet të lihet të kryejë hetimet, pavarësisht statusit social apo funksionit politik të personave që mund të jenë objekt i tyre.

“Kuvendi nuk mund të përdorë institucionin e vet, ndër më të rëndësishmit të kontrollit parlamentar, për të zëvendësuar kompetencat e prokurorisë”, tha Balla.

Pas debatit u rrëzua me 76 vota kundër dhe 37 pro, kërkesa e PD për mocion.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër