Shkup, 28 korrik, Zhurnal.mk – Banka Popullore vendosi ta mbajë normën bazë të interesit në 4,25%, pas mbledhjes së rregullt të Bordit Ekzekutiv të mbajtur më 28 korrik. Vendimi pason rritjen e qershorit dhe bazohet në treguesit më të fundit ekonomikë dhe vlerësimet për rreziqet në ambientin vendor dhe ndërkombëtar.
Nga Banka Popullore theksojnë se tregu valutor mbetet stabil, ndërsa rezervat valutore janë në nivel të sigurt dhe të mjaftueshëm për ruajtjen e stabilitetit të kursit të denarit.
Inflacioni vjetor në qershor ka ngadalësuar në 3,4%, një rezultat më i ulët se pritjet. Megjithatë, banka vlerëson se nevojitet më shumë kohë për të konfirmuar që ky trend është i qëndrueshëm, veçanërisht për shkak të pasigurisë së lartë të lidhur me zhvillimet gjeopolitike, konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, si dhe ndikimin e tyre mbi çmimet e energjisë dhe zinxhirët e furnizimit.
Në njoftim theksohet se ekonomia vendore vazhdon të tregojë qëndrueshmëri. Në tremujorin e parë të vitit, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 3,1%, ndërsa të dhënat e disponueshme tregojnë mundësi për përshpejtim të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë.
Banka Popullore nënvizon se do të vazhdojë të monitorojë me kujdes lëvizjet ekonomike dhe financiare brenda dhe jashtë vendit dhe, nëse është e nevojshme, do të përdorë të gjitha instrumentet në dispozicion për ruajtjen e stabilitetit çmimor dhe financiar.
