Bardhi: Mazhoranca refuzoi pa argument debatin parlamentar mbi kërkesat e protestuesve

Nga D. V.
985 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 25 qershor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se mazhoranca refuzoi pa asnjë argument tri kërkesa të opozitës që lidhen me shqetësimet e qytetarëve që prej 26 ditësh protestojnë në Tiranë.

Sipas Bardhit, protesta ka tërhequr vëmendjen e disa parlamenteve evropiane dhe të eurodeputetëve, teksa shtoi se i vetmi institucion që nuk i ka kushtuar vëmendje këtyre shqetësimeve është Parlamenti i Shqipërisë.

“Grupi parlamentar i PD-së ka dëgjuar dhe vlerësuar shqetësimet e qytetarëve që prej 26 ditësh protestojnë në bulevardin qendror të Tiranës. Protesta ka marrë vëmendjen e disa parlamenteve evropiane, ka marrë vëmendjen e eurodeputetëve në seancën e fundit plenare të PE-së. I vetmi parlament që nuk i ka kushtuar asnjë vëmendje shqetësimeve të qytetarëve është Parlamenti i Shqipërisë”, tha Bardhi.

Bardhi bëri të ditur se grupi parlamentar i PD-së ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin, për të marrë informacion nëse qeveria ka ndërmarrë masa për adresimin e shqetësimeve të qytetarëve. Gjithashtu, sipas tij ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat për këtë çështje, si dhe për diskutimin e rezolutës së Parlamentit Evropian.

“Grupi i PD-së ka dorëzuar një kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin në raport me shqetësimet e qytetarëve. Duhet të japë informacion nëse ka marrë ndonjë masë për të adresuar shqetësimet e qytetarëve. Kemi kërkuar mocion me debat për adresimin e shqetësimeve të qytetarëve, si dhe rezolutën e Parlamentit Evropian që cakton detyrat e shtëpisë për Republikën e Shqipërisë në kuadër të procesit të integrimit evropian. Të tre kërkesat janë refuzuar sot pa asnjë argument nga përfaqësuesit e mazhorancës dhe me gënjeshtrën e tyre se po tentojmë të bëjmë rolin e zëdhënësve të protestuesve”, tha ai.

Sipas Bardhit, kërkesa për debat në Kuvend lidhet me nevojën për të diskutuar shqetësimet e qytetarëve dhe për të mos u sjellë sikur ato nuk ekzistojnë.

“Nuk kemi pretenduar të bëjmë zëdhënësin e qytetarëve, por nuk mund të bëjmë sikur nuk jetojmë në Shqipëri Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar një debat në Kuvendin e Shqipërisë; ne nuk mund të sillemi sikur qytetarët nuk kanë shqetësime. Të tri kërkesat tona janë të drejta. E drejta për të kërkuar mocion me debat është një e drejtë që na e lejon Rregullorja e Kuvendit”, tha Bardhi.

Bardhi theksoi se shqetësimet e qytetarëve që protestojnë kanë gjetur pasqyrim në rezolutën e Parlamentit Evropian.

”Arritën deri aty sa t’i vinin kyçin Kuvendit të Shqipërisë, kanë mbyllur Kuvendin dhe janë të shqetësuar që në atë Kuvend të diskutohet për kërkesat e qytetarëve dhe arsyet që kanë nxjerrë qytetarët në protestë. Kjo është e papranueshme”, tha Bardhi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër