Bastisje në Shkup dhe Shtip, dyshohet për shitblerje notash në Universitetin “Goce Dellçev”

Nga R.ZH
A+ A-
Rivendos

Shtip, 03 nëntor, Zhurnal.mk – Një aksion policor është duke u zhvilluar në disa lokacione në Shkup dhe Shtip, në kuadër të hetimeve për dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ndërhyrje të paautorizuara në sistemin elektronik të evidencës së studentëve në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip, transmeton Zhurnal.mk.

Sipas informacioneve jozyrtare, nën dyshime është përgjegjësi i sektorit të teknologjisë informative në universitet, i cili dyshohet se për një periudhë të gjatë, kundrejt pagesave në para, ka kryer ndërhyrje të paligjshme në evidencën elektronike të studentëve.

Dyshohet se ndërhyrjet përfshijnë ndryshimin e pikëve të provimeve, fshirjen e notave, si dhe mundësimin e regjistrimit të semestrave për studentë që nuk i plotësonin kriteret e nevojshme. Këto shërbime dyshohet se u janë ofruar kryesisht studentëve nga Turqia, të cilët përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të studentëve në këtë universitet.

Jozyrtarisht, gjatë kontrolleve në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur edhe një shumë e konsiderueshme parash. Megjithatë, deri më tani nuk ka të dhëna zyrtare për shumën e saktë dhe prejardhjen e tyre.

Aksionin policor e ka konfirmuar edhe Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), nga ku bëjnë të ditur se kontrollet po realizohen me urdhër gjykate, të siguruar nga Prokuroria Themelore Publike në Shtip.

“Zyrtarë policorë nga Departamenti i Policisë Kriminalistike, SPB Shtip, SPB Shkup dhe Sektori për Krim Kompjuterik pranë MPB-së janë duke kryer kontrolle në disa lokacione në Shkup dhe Shtip, lidhur me veprat penale keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar, si dhe dëmtim dhe hyrje e paautorizuar në sistem kompjuterik, nga ana e R.T., përgjegjës i sektorit të teknologjisë informative në Universitetin ‘Goce Dellçev’ në Shtip”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Aksioni policor është ende në vazhdim, ndërsa nga MPB-ja paralajmërojnë se më shumë detaje do të bëhen publike pas përfundimit të tij.

Deri më tani nuk ka informacione zyrtare se sa studentë dyshohet se janë përfshirë në manipulimet e mundshme me sistemin universitar, apo sa para janë paguar për ndërhyrjet e dyshuara.

artikuj të ndërlidhura