BDI dhe VLEN “pajtohen”… për Korridorin 8, e UNESCO sqaron hapat e ardhshëm

Nga B.M
594 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 Prill, Zhurnal.mk – Acarimet disa javëshe midis BDI-së e partive tjera opozitare në njërën anë dhe VLEN-it e qeverisë në anën tjetër, për fatin e Korridorit 8, pjesës së projektit për në kufirin tek Shqipëria, sot morën fund, ndërkohë që UNESCO për Zhurnal.mk sqaron hapat e ardhshëm e të nevojshëm rreth segmentit në afërsi të zonës së mbrojtur të Liqenit të Ohrit e deri në kufirin me Shqipërinë, shkruan Zhurnal.mk.

“Pajtimi” për këtë projekt të madh infrastrukture midis të dy kundërshtarëve politik e të acaruar për shumëçka tjetër, u vërejtë sot së pari me komunikatën e BDI-së, kur tha se projekti në fjalë “konfirmohet dhe nuk mund të ndalet”.

BDI dhe partitë e tjera opozitare shqiptare këtë vit tentuan që të bindin publikun vendor se kinse qeveria po synonte që të devijonte krejt rrugën e projektit për të mos e vazhduar deri në kufirin me Shqipërinë, por ta dërgojë atë në Korridorin 10D për ta vazhduar për në kufirin me Greqinë.

Këto pretendime vazhdimisht i kanë hedhur poshtë qeveritarët, duke tentuar të spjegonin se në pikëpyetje është vetëm një segment në afërsi të Liqenit të Ohrit se nga do të bie ky segment për të vazhduar përsëri për në kufirin shqipar, Qafë Thanë, përkatësisht.

Të njëjtat sqarime patën ardhë nga ministri i jashtëm i Shqipërisë Ferit Hoxha në një deklaratë për Zhurnal.mk, e në të cilat Hoxha konfirmonte se projekti do të arrijë në kufirin me Shqipërinë, perderisa priten vendime nga Shkupi dhe UNESCO për segmentin në fjalë në Maqedoni të Veriut.

BDI pretendimin e saj të kundërt të dikurshëm e vazhdoi edhe sot në komunikatë, por tha se tash gjithçka është në rregull.

“Bashkimi Demokratik për Integrim mirëpret zhvillimet e fundit lidhur me projektin strategjik të Korridorit 8, të cilat dëshmojnë qartë se ky projekt madhor vazhdon edhe përkundër përpjekjeve të Qeverisë për ta shkëputur lidhjen e tij me Republikën e Shqipërisë,” shkruan partia e Ali Ahmetit, duke tentuar kështu të thotë se qeveria aktuale pat tentuar dikur t’ia ndërronte krejt drejtimin e korridorit në krahasim me atë që ishte projektuar kur BDI ishte në pushtet.

Por VLEN i reagoi BDI-së për t’ia përsëritur qëndrimet e mëhershme të pjestarëve të qeverisë se nuk kishte pasur asnjë plan për ndërrim destinacioni siç pretenduan partitë opozitare.

„Mirë se erdhët në realitetin e Korridorit 8,“ tha VLEN në komunikatën e tij ndaj asaj të BDI-së.

“VLEN e mirëpret “zbulimin” e fundit të Bashkimi Demokratik për Integrim lidhur me Korridorin 8, i cili, edhe pse me vonesë, konfirmon atë që NE e kemi thënë dhe dëshmuar vazhdimisht: ky projekt nuk ndalet dhe nuk është pronë e askujt. Pas një periudhe të gjatë deklaratash kontradiktore dhe përpjekjesh për të krijuar mjegull politike, është inkurajuese të shohim se opozita më në fund po reflekton dhe po i afrohet qëndrimeve që VLEN i ka mbrojtur me konsekuencë dhe përgjegjësi institucionale,” tha VLEN, duke mirëpritur pajtimin e BDI-së se korridori 8 vazhdon ashtu siç ishte paraparë.

“Është e qartë se retorika destruktive dhe përpjekjet për ta politizuar këtë projekt nuk kanë prodhuar asgjë, përveç konfuzionit. Prandaj, çdo hap drejt një komunikimi më racional dhe më të përgjegjshëm është i mirëpritur, edhe kur vjen me vonesë,” shtoi VLEN.

Ndërkohë, Zhurnal.mk mëson se UNESCO është duke pritur për të shqyrtuar një raport të qeverisë për gjendjen aktuale rreth segmentit në afërsi të zonës së mbrojtur, para se UNESCO të dalë me qëndrimet e saja se si duhet të ndërtohet ky segment, gjitnjë duke respektuar rregullat e mbrojtjes së ambientit dhe trashëgimisë kulturore në atë zonë.

Një zëdhënës i UNESCO  tha se raporti i qeverisë i dërguar në Janar të vitit 2025, do të shqyrtohet nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në sesionin e tij të 48-të në korrik 2026 në Busan të Republika e Koresë (Korea Jugore).

“Kur një Shtet Palë paraqet raportin e tij të Gjendjes së Ruajtjes (SOC) për një vend të Trashëgimisë Botërore, raporti shqyrtohet bashkërisht nga Qendra e Trashëgimisë Botërore e UNESCO-s dhe Organet Këshillimore, të cilat i japin një vlerësim teknik të raportit Komitetit të Trashëgimisë Botërore. Një projektvendim përgatitet bazuar në shqyrtimin teknik, duke përfshirë çdo vëzhgim ose rekomandim, i cili më pas i paraqitet Komitetit të Trashëgimisë Botërore për shqyrtim… Të gjitha Shtetet Palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore pritet të marrin parasysh vendimet e Komitetit dhe të ndjekin udhëzimet e tij kur planifikojnë dhe zbatojnë projekte me qëllim ruajtjen e vlerës së jashtëzakonshme të vendeve të Trashëgimisë Botërore. Roli i UNESCO-s është të ofrojë udhëzime dhe rekomandime nga ekspertë për t’i shoqëruar ata në këtë proces vendimmarrjeje për të siguruar që vlera e njohur të mbrohet. Në fund të fundit, është roli i Shtetit Palë të marrë vendime përfundimtare në lidhje me trajektoren e autostradës dhe çdo detaj ndërtimi brenda zonës së mbrojtur,” tha UNESCO në një përgjigje me postë elektronike (e-mail) për Zhurnal.mk. / Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër