Shkup, 29 mars, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ashpër ndaj vendimit për anulimin e segmentit Trebenishtë-Qafë Thanë të Korridori 8, duke e cilësuar këtë si një hap të dëmshëm për interesat strategjike të vendit.
Në reagimin e saj, BDI thekson se bëhet fjalë për një segment kyç që lidh Maqedonia e Veriut me Shqipëria, dhe se anulimi i tij përbën goditje direkte ndaj lidhshmërisë rajonale dhe zhvillimit ekonomik.
Sipas kësaj partie, paralajmërimet e bëra më herët për rrezikun e ndërprerjes së këtij projekti ishin mohuar nga përfaqësuesit e qeverisë, të cilët i kishin cilësuar si të pavërteta.
“Edhe zyrtarisht u anulua Korridori 8, segmenti Trebenishtë-Qafë Thanë, që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë. Para një muaji kur e ngritëm këtë çështje thanë se është shpifje. Sot doli në shesh e vërteta. Edhe një projekt i anuluar, edhe një e drejtë e mohuar nga kjo qeveri. Një gjë u premtojmë, do të mbani përgjegjësi!” thuhet në reagimin e BDI-së.
Ndërkohë më herët zv-ministrja Kaltrina Zekolli Shaqiri tha se rruga e këtij korridori do të vazhdoi për në Shqipëri, përkundër ndryshimeve eventuale të segmentit në fjalë.
“Dua të theksoj qartë se lidhja e autostradës Strugë – Qafë Thanë do të realizohet. Aktualisht po zgjidhet modaliteti më i përshtatshëm, në koordinim me UNESCO-n, në mënyrë që ky projekt të mos pengohet dhe të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Po ashtu, Ministria e Transportit është drejt përfundimit të punimeve për rikonstruksionin dhe zgjerimin e pikës kufitare Qafë Thanë, çka dëshmon qartë përkushtimin tonë për një lidhje të plotë dhe funksionale të kësaj autostrade. Lidhja infrastrukturore me Republikën e Shqipërisë është prioritet strategjik dhe do të realizohet me patjetër, pavarësisht zgjidhjes përfundimtare teknike që do të përzgjidhet për këtë segment,” tha ajo.
