Shkup, 12 nëntor, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e konsideruar këtë hap si të domosdoshëm për të zgjidhur situatën aktuale politike në vend.
Sekretari i Përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, në konferencën e sotme për shtyp tha se kjo parti e ka kërkuar një proces të tillë që nga fillimi i mandatit të qeverisë aktuale.
“Zgjedhjet e parakohshme janë më se të domosdoshme. Atë legjitimitet të vjedhur qytetarëve duhet t’ua kthejmë edhe njëherë, ndërsa qytetarët le të përcaktohen vetë”, deklaroi Ademi.
Ai tha se BDI-ja nuk e konsideron të qëndrueshme mënyrën aktuale të funksionimit të institucioneve dhe akuzoi qeverinë për mungesë të legjitimitetit nga qytetarët shqiptarë.
“Ne nuk jemi gomë rezervë dhe nuk hyjmë në qeveri pas zgjedhjeve. Mirëpo, kjo qeveri dhe kjo situatë në këtë mënyrë qeverisjeje janë të panatyrshme. Nuk mundet të funksionojë një qeveri pa legjitimitetin e shqiptarëve”, u shpreh Ademi.
Ademi kritikoi edhe deklaratat e ndryshme të përfaqësuesve të qeverisë lidhur me gjendjen ekonomike të vendit.
Sipas Ademit, është kontradiktore që në njërën anë përfaqësuesit e ekzekutivit e paraqesin Maqedoninë e Veriut si një nga vendet me rritjen më të lartë ekonomike në Evropë, ndërsa në anën tjetër paralajmërojnë se mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do ta çonte shtetin drejt falimentimit.
“I keni dëgjuar eksponentët e qeverisë që thonë se Maqedonia është, për nga ekonomia, vendi i tretë në Evropë? I keni dëgjuar për rritjen ekonomike, apo jo? Dje dëgjuam të thonë: ‘Në qoftë se shkojmë në zgjedhje, shteti do të shkojë në bankrot’. Si bre? Një moment, Maqedonia është vendi i tretë në Evropë për nga rritja ekonomike, ndërsa të nesërmen jemi para bankrotit”, tha Ademi.
Ai shtoi se BDI-ja do të vazhdojë të insistojë në zgjedhje të parakohshme, duke argumentuar se qytetarët duhet të kenë mundësinë të shprehin vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve.
Sipas tij, vendimi për zgjedhje do t’ua kthente qytetarëve mundësinë për të përcaktuar se kush duhet të ketë mandat për të udhëhequr vendin.

