BDI: Presion skandaloz dhe i papranueshëm nga VLEN ndaj drejtësisë

Nga R.ZH
675 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 gusht, Zhurnal.mk – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratave të VLEN-it lidhur me Prokurorinë dhe rastin “Lotaria”, duke i cilësuar ato si presion politik ndaj institucioneve të drejtësisë.

Në reagimin e BDI-së thonë se opinioni publik është “skandalizuar” nga, siç e cilëson, apostrofimi i drejtpërdrejtë i Prokurorisë nga ana e VLEN-it.

“Sot i gjithë opinioni është skandalizuar nga reagimi i partisë VLEN dhe apostrofimi i tyre ndaj Prokurorisë”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas BDI-së, presionet ndaj institucioneve të drejtësisë janë përmendur edhe në raportet e komunitetit ndërkombëtar, ndërsa deklaratat e VLEN-it, sipas kësaj partie, e konfirmojnë këtë shqetësim.

“Komuniteti ndërkombëtar në vazhdimësi raporton për presione qeveritare ndaj Prokurorisë dhe gjykatave, ndërsa VLEN këtë dyshim e konfirmoi sot publikisht”, thekson BDI.

BDI i referohet edhe raportit të Bashkimit Evropian, për të cilin thotë se ngre shqetësime serioze për ndërhyrje politike në sundimin e ligjit.

“Prokuroria dhe Gjykatat duhet të vendosin në bazë të provave e jo direktivave politike dhe partiake. Drejtësi selektive partiake nuk i duhet as qytetarëve e as Maqedonisë së Veriut”, thuhet më tej në reagim.

BDI bën të ditur se këtë shqetësim ua ka përcjellë edhe partnerëve ndërkombëtarë, duke përfshirë, sipas saj, edhe reagimin e sotëm të VLEN-it.

“BDI bën thirrje për drejtësi europiane, joselektive. Prokurorët bartin përgjegjësi dhe duhet të vendosin në bazë të ligjit, provave, ekspertizave, e jo në bazë të urdhëresave dhe dëshirave partiake”, thuhet në komunikatë.

Në vijim, BDI akuzon VLEN-in se, sipas saj, po përpiqet të kamuflojë “paaftësinë dhe dështimin e tërësishëm” përmes asaj që e cilëson si përndjekje politike dhe presion ndaj Prokurorisë.

BDI gjithashtu i drejton akuza ndaj disa prej figurave të VLEN-it, duke kërkuar që, sipas saj, denoncimet të nisin nga radhët e kësaj partie.

“VLEN le të nisë denoncimet nga radhët e veta, si për shembull Izet Mexhiti dhe Visar Ganou për mbi 250 milionë euro dëm me ndërtimet pa leje, Burim Latifi mbi 19 milionë euro dëm buxhetit, Nedim Rama dhe keqbërësit e tjerë nga radhët e tyre”, thuhet në reagimin e BDI-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër