BDI Tetovë thërret protestë më 11 korrik pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për emrat e rrugëve

Nga R.ZH
2,064 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tetovë, 5 korrik, Zhurnal.mk – Dega e Bashkimi Demokratik për Integrim në Tetovë ka njoftuar se më 11 korrik do të organizojë një protestë qytetare, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit për emërtimin e rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

Në një kumtesë për opinionin, BDI pretendon se komuna e Tetovës nuk e ka dorëzuar dokumentacionin e kërkuar nga Gjykata Kushtetuese, gjë që, sipas partisë, ka ndikuar në shfuqizimin e vendimit dhe rikthimin e emrave të mëparshëm të rrugëve.

“Prandaj, për ne është më se e qartë se Bilall Kasami mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike për këtë vendim skandaloz. Heshtja dhe mosveprimi i tij ndaj kërkesave të Gjykatës Kushtetuese përbëjnë përgjegjësi të rëndë ndaj interesit, historisë dhe dinjitetit të qytetarëve të Tetovës”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Nga dega e BDI-së në Tetovë vlerësojnë se vendimi për emrat e rrugëve prek identitetin dhe trashëgiminë e qytetit, ndërsa i bëjnë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar.

“Ftojmë të gjithë qytetarët të na bashkohen në protestën e 11 korrikut, në mbrojtje të dinjitetit, historisë dhe identitetit të Tetovës”, theksohet në kumtesë.

Protesta vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shfuqizoi aktin për emërtimin e një pjese të rrugëve dhe sheshit në Tetovë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër