BE-ja përgatit kufizime për përdorimin e rrjeteve sociale nga fëmijët

Nga Xh M
713 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 13 korrik Zhurnal.mk – Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë thirrje për vendosjen e rregullave të reja për përdorimin e mediave sociale nga fëmijët.

Ajo ka kërkuar qasje të kontrolluar dhe të kufizuar sipas moshës.

Deklarata e Ursula von der Leyen vjen pas publikimit të një raporti nga një panel i posaçëm i Bashkimit Evropian për sigurinë e fëmijëve në internet, i cili rekomandon që fëmijët nën moshën 13-vjeçare të mos kenë qasje në platformat sociale, derisa kompanitë teknologjike të dëshmojnë sigurinë e shërbimeve të tyre.

Von der Leyen, e cila me profesion është mjeke, ka theksuar se ekspozimi i fëmijëve ndaj botës digjitale duhet të trajtohet me të njëjtin kujdes si fusha të tjera ku ekzistojnë kufizime ligjore.

“Ashtu siç nuk ua japim fëmijëve tanë çelësat e makinës para se të kenë patentën, ose nuk i lejojmë të blejnë alkool para moshës së lejuar ligjërisht, duhet të përcaktojmë moshën në të cilën ata mund të hyjnë në mënyrë të ligjshme në mediat sociale”, ka deklaruar Von der Leyen.

Ajo ka paralajmëruar gjithashtu për ndikimin e disa funksioneve të platformave digjitale që mund të nxisin përdorim të tepruar te të rinjtë.

“Duhet të adresojmë mënyrën se si funksionojnë disa nga këto platforma, përfshirë lëvizjen pa fund të përmbajtjeve, që mund të krijojë varësi te përdoruesit e rinj”, është shprehur presidentja e Komisionit Evropian.

Raporti i ekspertëve të BE-së propozon që përgjegjësia për sigurinë e fëmijëve të mos mbetet vetëm te prindërit apo rregullatorët, por të bartet te kompanitë që ofrojnë shërbimet digjitale.

“Derisa të dëshmojnë se shërbimet e tyre janë të sigurta që në fillim, mediat sociale dhe ofruesit e tjerë të shërbimeve digjitale duhet të kenë qasje të kufizuar për fëmijët nën moshën 13 vjeç në BE”, thuhet në raport.

Komisioni Evropian ende nuk ka përcaktuar kufijtë përfundimtarë të moshës për grupet e tjera, por pritet që në muajt e ardhshëm të prezantojë një propozim zyrtar për rregullimin e përdorimit të mediave sociale nga të miturit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër