BE, përplasje për buxhetin 2028–2034, grupet politike kundërshtojnë masat e shkurtimeve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 12 tetor, Zhurnal.mk – Liderët e grupeve politike të qendrës në Parlamentin Evropian, kanë kundërshtuar propozimin e ri  për buxhetin afatgjatë të Bashkimit Evropian, në kuadër të mosmarrëveshjeve për madhësinë dhe ndarjen e tij.

Në një deklaratë të përbashkët, drejtuesit e Partisë Popullore Evropiane (PPE), Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve (S&D), grupit liberal “Evropa e Ripërtërirë” dhe të Gjelbërve thanë se shkurtimet e propozuara janë tepër të mëdha.

Këto katër grupe politike kanë së bashku 454 nga 720 vendet në Parlamentin Evropian.

Mbështetja e Manfred Weber, kreut të Partisë Popullore Evropiane, për deklaratën e përbashkët e vendos atë në kundërshtim me kancelarin konservator gjerman, Friedrich Merz, i cili është njëkohësisht drejtues i ekonomisë më të madhe të Evropës dhe aleat politik i Weber.

Merz e konsideron të papranueshëm propozimin e ri, por për një arsye të kundërt, sipas tij, shkurtimet e parashikuara janë shumë të vogla.

Irlanda, e cila aktualisht mban presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, paraqiti të shtunën një propozim të ri kompromisi për buxhetin afatgjatë.

Sipas këtij propozimi, buxheti i BE-së për periudhën 2028–2034 do të ulet me rreth 159 miliardë euro, krahasuar me propozimin fillestar të Komisionit Evropian.

Në deklaratën e përbashkët, katër grupet politike paralajmërojnë se shkurtimi i ndjeshëm i buxhetit afatgjatë, rrezikon aftësinë e Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur në mënyrë të qëndrueshme sfidave të ardhshme dhe për të ruajtur rolin e Evropës, në një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme.

Drejtuesit e grupeve politike kritikojnë gjithashtu mënyrën se si propozohen të shpërndahen shkurtimet.

Sipas tyre, kjo mund të dobësojë konkurrueshmërinë dhe sigurinë e Evropës, si dhe të ulë ndikimin e saj në arenën ndërkombëtare.

artikuj të ndërlidhura