Prishtinë, 19 shtator Zhurnal.mk – Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vizituar sot familjet e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe Jakup Krasniqit, pas vendimit të fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi, Hamza tha se familjarëve u ka shprehur mbështetjen e tij, duke theksuar se, sipas tij, ata “nuk janë vetëm dhe nuk do të jenë kurrë”.
“Dhimbja e tyre është dhimbja jonë. Mërzia e tyre është mërzia e popullit tonë”, shkroi Hamza.
Ai u shpreh krenar për Thaçin, Veselin dhe Krasniqin, si dhe për atë që e cilësoi si luftën për liri dhe kontributin e tyre në historinë e Kosovës.
“Bashkë do të qëndrojmë, bashkë do të angazhohemi dhe bashkë do ta vazhdojmë betejën për drejtësi e liri, deri në kthimin në atdhe të luftëtarit të fundit të lirisë”, deklaroi Hamza.
Postimin e tij ai e përmbylli me sloganin: “Dje, sot dhe përjetësisht, çlirimtarë!”
