Perspektivë pozitive e Shqipërisë/ Moody’s mban vlerësimin ‘Ba3’, sheh rritje 3.6% të ekonomisë dhe ulje graduale të borxhit

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 shtator Zhurnal.mk – Forcimi i financave publike, rritja ekonomike dhe progresi në reformat strukturore janë disa prej faktorëve që kanë ndikuar në vlerësimin e ri të Moody’s për Shqipërinë.

Agjencia ndërkombëtare e vlerësimit të kreditit ka ndryshuar perspektivën për vendin nga ‘e qëndrueshme’ në ‘pozitive’, ndërsa ka mbajtur të pandryshuar vlerësimin në nivelin Ba3.

Sipas Moody’s, ekonomia shqiptare ka treguar qëndrueshmëri ndaj goditjeve të viteve të fundit, ndërsa pozicioni fiskal dhe ai i jashtëm janë forcuar. Agjencia pret që rritja ekonomike të vijojë në periudhën afatmesme, ndërsa borxhi publik të ulet gradualisht.

“Moody’s parashikon rritje reale të PBB-së prej 3.6% në vitin 2026 dhe 3.5% në vitin 2027, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka dëshmuar deri tani qëndrueshmëri ndaj efekteve të konfliktit në Lindjen e Mesme, falë mbështetjes pothuajse tërësore tek energjia e rinovueshme. Gjithashtu, Moody’s thekson se falë rritjes ekonomike të fortë dhe deficiteve të kontrolluara fiskale, borxhi i qeverisjes së përgjithshme do të vazhdojë të ulet gradualisht, në 50.2% të PBB-së në vitin 2027, nga 52.9% në fund të vitit 2025”, u shpreh Ministria e Financave.

Një tjetër element i rëndësishëm është pozicioni i jashtëm i vendit. Deficiti i llogarisë korente u ngushtua në vetëm 0.7 për qind të PBB-së gjatë vitit 2025, ndërsa investimet e huaja direkte vijuan të mbulojnë plotësisht këtë deficit. Sipas Ministrisë së Financave, ky përmirësim mbështet objektivat afatgjata të integrimit evropian të vendit.

“Agjencia vlerëson se progresi i vazhdueshëm i reformave, i mbështetur nga këto financime, ka potencialin të forcojë më tej profilin institucional dhe të qeverisjes së vendit.”

Për Ministrinë e Financave, vlerësimi i radhës i Moody’s është një tregues i stabilitetit makroekonomik dhe i progresit të reformave.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër