Prishtinë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë të ditur se bashkë me kolegen e tij, Sala Jashari, janë larguar në mënyrë demonstrative pas konstituimit të Komisionit për të Drejtat e Njeriut.
Behrami ka thënë se ky veprim lidhet me situatën pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe ka kritikuar institucionet për, siç është shprehur ai, “simulim të normalitetit”.
“Flamuri i Kosovës dhe i UÇK-së janë në gjysmë shtize. Prandaj, Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës nuk mund të simulojnë normalitet”, ka deklaruar Behrami.
Ai ka kërkuar që ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës të jetë prioritet i institucioneve.
“Nuk ka asnjë temë, asnjë ligj, asnjë vendim, asnjë qëndrim, asnjë kauzë më të rëndësishme sesa ndryshimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës”, ka shkruar Behrami.
