Prishtinë, 30 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është në komunikim të drejtpërdrejtë me kryetarët e PDK-së dhe LDK-së, Bedri Hamzën dhe Lumir Abdixhikun, raporton Ekonomia Online.
“Unë jam në komunikim drejtpërdrejt, pra nuk kemi ndërmjetës, me kryetarët e dy partive opozitare: me Bedri Hamzën, kryetarin e PDK-së, dhe me Lumir Abdixhikun, kryetarin e LDK-së”, tha ai.
Kurti e ka vlerësuar vendimin e Kuvendit të së hënës për miratimin e deklaratës lidhur vendimin në Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Është një vendim për t’u përshëndetur ai i së hënës, kur me 99 vota për u miratua deklarata për gjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Aty ne kemi shprehur qartë shqetësimin tonë të thellë me gjykimin e padrejtë në shkallë të parë dhe zotimin tonë për strategji të përbashkët shtetërore drejt apelit ku duhet të dalim triumfues”, tha ai.
Ai ka theksuar nevojën për angazhimin e ekspertëve juridikë në procesin e apelimit.
“Është e rëndësishme që t’i mbledhim jo vetëm energjitë, por edhe kokat e fushës së caktuar, e kjo është përgjithësisht ekspertizë juridike, në mënyrë që në apel të bëhen korrigjimet e nevojshme dhe të triumfojë drejtësia”, tha ai.
Kurti ka folur edhe për iniciativën ligjore të Grupit Parlamentar të PDK-së, duke thënë se ajo aktualisht është duke u trajtuar nga institucionet përkatëse.
“Tash kemi një iniciativë ligjore nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo është çështje e Kuvendit të Republikës së Kosovës që i është drejtuar Zyrës Ligjore për opinion në Kryeministri. Tash Zyra Ligjore në Kryeministri ka kërkuar mendim nga Zyra Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, gjithashtu edhe nga Departamenti për Buxhet në Ministrinë e Financave. Kjo është procedurë e rregullt qysh bëhet me secilën iniciativë ligjore”, tha ai.
Kryeministri ka bërë të ditur se përgjigjet nga institucionet pritet të jenë të gatshme brenda kësaj jave.
“Prej informacioneve që i kam deri më tani edhe nga ministritë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen edhe si mendim të Zyrës Ligjore të Ministrisë së Drejtësisë, gjithashtu edhe vlerësimin financiar të Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave, dhe menjëherë ne do t’i japim përgjigje Kuvendit të Republikës dhe aty do të vazhdojë më tutje procedura”, tha ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit ose presidentes së re të Kosovës, Kurti ka theksuar se koha në dispozicion është e shkurtër dhe se nevojiten takime të reja ndërmjet liderëve politikë.
“Ndërkaq, sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit ose presidentes së re, pajtohem plotësisht, i kemi vetëm 6 ditë nëse nuk e llogarisim ditën e sotme. I kemi ditët e numëruara me shpejtësi të posaçme. Është e domosdoshme që të kemi takime të reja”, tha ai.
Kurti ka thënë se këto takime duhet të fokusohen edhe në çështjen e mbrojtjes strategjike të të akuzuarve në Hagë, por edhe në ruajtjen e stabilitetit institucional.
“Në njërën anë për mbrojtjen strategjike shtetërore për të pandehurit në Hagë që padrejtësisht u shpallën fajtorë, dhe në anën tjetër gjithashtu nuk besoj që duhet të kemi destabilitet të mëtutjeshëm institucional në këtë situatë kur me 99 vota për e arritëm një dakordim të përgjithshëm dhe tash të hyjmë në rivalitete të ashpra të fushatës ose zgjedhore”, tha ai.
Në fund, Kurti ka bërë thirrje për vazhdimin e takimeve dhe dakordësisë së arritur në Kuvend.
“Nuk besoj që është punë e mençur nga e cila do të përfitonte dikush përveçse kundërshtarët e Kosovës e të shtetit tonë. Prandaj, duhet të ketë takime dhe unë besoj që do të mund të ulemi e të diskutojmë dhe dakordësinë e së hënës ta vazhdojmë edhe më tej”, tha ai.
