Shkup, 29 gusht Zhurnal.mk – Këshilltari i VLEN-it në Këshillin e Qytetit të Shkupit, Zekerija Berisha, ka reaguar ndaj opozitës së BDI-së, duke e akuzuar se po paraqet si propozime të reja projekte që tashmë janë pjesë e planifikimeve dhe vendimeve të Qytetit të Shkupit.
“Pak më ngadalë me ‘amendamentet historike’, se po propozoni projekte që ne i kemi planifikuar para se juve t’ju binte ndër mend t’i shkruani në Facebook!”, shkruan Berisha. Ai veçon projektin për parkingun me kate te Çairçanja, duke theksuar se ky projekt, sipas tij, nuk është një ide e re e BDI-së, por tashmë është pjesë e planifikimeve zhvillimore të Qytetit të Shkupit.
“Çfarë po ‘propozoni’ saktësisht? Që ne ta realizojmë atë që tashmë e kemi planifikuar?”, ironizon Berisha. Sipas tij, BDI-ja po përdor një qasje të vjetër politike, duke marrë projekte që tashmë janë planifikuar nga pushteti dhe duke i paraqitur si iniciativa të saja.
“Kur nuk ke projekt tëndin, merr projektin e tjetrit, shpalle si amendament dhe shpreso se qytetarët nuk do t’i lexojnë dokumentet. Por dokumentet nuk gënjejnë”, shprehet këshilltari i VLEN-it. Berisha përmend edhe një sërë projektesh të tjera që, sipas tij, janë mbështetur dhe votuar në Këshillin e Qytetit të Shkupit për komunat dhe vendbanimet me shumicë shqiptare. Në Çair, ai përmend rikonstruimin dhe zgjerimin e rrugës “Cvetan Dimov”, si dhe planifikimin për zgjidhjen e problemit të parkimit te Çairçanja, përfshirë edhe parkingun me kate.
Në Shuto Orizare, Berisha thekson sanimin e “Makedonsko-Kosovska Brigada 38”, rrugës kryesore në Gorno Orizare dhe rrugës 37, së bashku me rrjetin e ujësjellësit. Ndërsa për Butelin, ai përmend investimet në hapësirat publike, gjelbërimin dhe rregullimin e zonave përgjatë bulevardit “Hristijan Todorovski Karposh”.
Berisha thotë se edhe Saraji është pjesë e politikës zhvillimore të Qytetit të Shkupit, duke përmendur projektet në infrastrukturën rrugore, parkingjet në Saraj e Matkë, si dhe zgjidhjet infrastrukturore dhe të ujësjellësit. “Ju keni pasur shumë kohë për t’i realizuar projektet e premtuara, por nuk e keni bërë. Sot, pasi të tjerët i fusin në plan, i financojnë dhe i çojnë përpara, ju dilni në Facebook dhe i ‘propozoni’”, shkruan Berisha.
Në fund, ai u bën thirrje këshilltarëve të opozitës që të lexojnë materialet dhe dokumentet e Këshillit përpara se të paraqesin iniciativa si të reja. “Nuk mund ta shisni si ide opozitare një projekt që pushteti tashmë e ka futur në plan”, thotë Berisha, duke e mbyllur reagimin me ironi: “Me këtë qasje nuk është për habi që në seancën tjetër të propozoni që midis Shkupit të kalojë lumi Vardar”. Sipas Berishës, qytetarët tashmë mund ta dallojnë lehtësisht “një status në Facebook” nga një projekt konkret në terren.
