Tiranë, 12 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se “opozita do të përdorë të gjitha mjetet kundër kësaj qeverie”.
Në një konferencë për medie, Berisha theksoi se opozita është në protestë. Sipas tij, “protestat janë të organizuara, por nuk janë masive sa ç’duhet të jenë, por do bëhen”.
Sipas Berishës, sondazhet e fundit të vetë PS-së tregojnë një rënie katastrofike të PS-së në 29 për qind, ndërsa vetë Rama është nën partinë e tij.
“Pollet e fundit të bëra nga PS kanë një rënie katastrofale. Partia e krimit është rrokullisur në shifrat e saj në 29 për qind. Edhe këto, po të heqësh koeficientin e frikës, zbret edhe më poshtë”, tha Berisha, duke shtuar se ky nuk është një sondazh i bërë nga opozita, po është sondazh i brendshëm i vetë PS-së.
Sipas tij, “Edi Rama vetë qëndron nën partinë dhe kjo ka ngjallur një alarm të jashtëzakonshëm”.
Berisha komentoi edhe vizitën e Aleks Soros në Shqipëri.
“Është thirrur për emergjencë Aleks Soros. Shqiptarët në mënyrë përfundimtare i kanë dhënë verdiktin Edi Ramës. Vjeshta do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike.
Opozita do të jetë e tëra në misionin e saj, largimin sa më shpejt të Edi Ramës, qeverinë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, shtoi ai.
