Berisha paraqitet në SPAK: Drejtuesit e drejtësisë nuk guxojnë të mbrojnë institucionet

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u paraqit këtë të hënë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” në lidhje me dosjen “Partizani”.

Berisha u prit nga një grup mbështetësish dhe disa deputetë të Partisë Demokratike para ambienteve të institucionit.Ish-kryeministri përballet me akuzë për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi, dhe biznesmeni Fatmir Bektashi akuzohen për përfshirje në korrupsion dhe veprime të paligjshme që lidhen me pastrimin e parave.

Pas daljes nga SPAK, Berisha deklaroi për mediet se kishte lënë një mesazh në SPAK.

“Drejtësia dhe ligji mund të vonojnë, por nuk harrojnë”, u shpreh ai.

Gjatë prononcimit të tij, Berisha ngriti pretendime për mënyrën e funksionimit të institucioneve të drejtësisë.

Berisha deklaroi se Prokurori i Përgjithshëm, KLGJ dhe ILD nuk kanë bërë asnjë deklaratë publike në mbrojtje të institucioneve gjatë kritikave të Ramës, duke i cilësuar drejtuesit e tyre si “zyrtarë që nuk guxojnë të mbrojnë institucionet”.

Po ashtu Berisha preku edhe çështjen e gjyqtares Irena Gjoka.

“Prokurorit të Përgjithshëm iu deshën dy vite për të nxjerrë një vendim për një çështje që, sipas meje, ishte e qartë që në javët e para”, tha Berisha.

Ai shtoi se institucionet e përmendura nuk kanë vënë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga pala ankuese.

Sipas Berishës, këto zhvillime tregojnë, sipas tij, probleme në funksionimin e sistemit të drejtësisë.

artikuj të ndërlidhura