Tiranë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Arrestimi i kryetares së Shërbimit Informativ të Shqipërisë, Vlora Hyseni, cila akuzohet se ndihmoi Ergys Agasin gjatë arratisë dhe i dha informacione sekrete, ka ndezur debatet në sallën e Kuvendit.
Duke iu referuar mesazheve të publikuara në media mes Vlora Hysenit dhe Ergys Agasit, kreu demokrat Sali Berisha i kujtoi kryetarit të Kuvendit se e kishte paralajmëruar që do të zëvendësohej nga një tjetër drejtues, raporton a2cnn.
“Kur unë deklarova para pesë gjashtë ditësh se kanë parashikuar të të zëvendësojnë me atë tjetrin, ti u solle si tuhaf. Po bën intriga Sali. Lexoje pak atë. Lexoje pak se çfarë thonë”, deklaroi Berisha.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha deklaroi se ky është një rekord i zi për vendin. Sipas tij shërbimi inteligjent shqiptar ka dëmtuar besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe akuzoi ish-drejtuesen e SHISH-it, për përdorim të mjeteve të shërbimit në funksion të grupeve kriminale.
“A e kuptoni ju se çfarë do të thotë për komunitetet inteligjente të vendeve partnere kjo? Nuk ka rekord më të zi se ky! Shefi i shërbimit informativ di çdo sekret, dhe aq sa di kryeministri dhe presidenti, i di prej atij ose asaj. Ajo, siç rezulton, e ka pajisur organizatën kriminale të Ergys Agasit me mjetet më të sofistikuara të regjimit. Të gjithë jeni në dosje të filmuar. Ulsi, të ka dalë shumë herë emri. Po nuk je vetëm ti. Nuk je jo, je me plot të tjerë. Pra, aty në zyrë që krijoi, të pajisur me të gjitha mjetet më të sofistikuara, të blera nga taksapaguesit shqiptarë ose dhuratë e partnerëve tanë për sigurinë kombëtare, për vëzhgimin e armiqve, janë përdorur për të gjitha qëllimet e ulëta të luftës brenda klaneve. Janë përdorur që të gjitha në funksion të Troplinëve, Çelëve dhe bandave të tjera”, theksoi Berisha.
