Tiranë, 24 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se më 30 shtator do të publikohet, së bashku me Këshillin e Europës, paketa më e gjerë e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale që prej miratimit të tij.
Ndryshimet vijnë pas studimit të Këshillit të Europës mbi paraburgimin në Shqipëri dhe pas 10 vitesh reformë në drejtësi, në një moment kur synohet të vlerësohet funksionimi i garancive procedurale dhe standardeve të konsoliduara nga jurisprudenca.
“Bëhet fjalë për një korpus shumë të rëndësishëm ndryshimesh. Tashmë kemi një vendim unifikues të Gjykatës së Lartë, kemi jurisprudencë të mjaftueshme kushtetuese, kështu që është e rëndësishme që, në bashkëpunim me Këshillin e Europës, të shikojmë caktimin e masave të sigurimit”, u shpreh Gogu.
Rishikimi do të përfshijë masat e sigurimit, të drejtat e palëve gjatë hetimit dhe gjykimit, provat dhe mënyrën e administrimit të tyre, seancën paraprake, prezumimin e pafajësisë, publicitetin e seancave dhe mbrojtjen e të dhënave personale.
Sipas Gogut, synimi është që forcimi i shtetit të së drejtës të ecë paralelisht me fuqizimin e garancive procedurale të individit.
“Fuqia e shtetit të së drejtës duhet të vazhdojë të forcohet, por të forcohen edhe garancitë procedurale të individit. Ky është standardi europian: që shteti i së drejtës të forcohet, por edhe garancitë e individit të fuqizohen gjithashtu”, theksoi ministri.
Më 30 shtator, ndryshimet do të diskutohen në një tryezë me drejtues të institucioneve të drejtësisë, përfaqësues të gjykatave, prokurorëve dhe avokatëve, shoqërinë civile, median dhe partnerët ndërkombëtarë.
Procesi synon që standardet e krijuara nga jurisprudenca dhe rekomandimet e Këshillit të Europës të reflektohen në një kuadër procedural më të qartë, duke ruajtur ekuilibrin mes efektivitetit të drejtësisë penale dhe mbrojtjes së të drejtave të individit.
