Berisha: Piramidën e pagave e përmbysi Rama, gjyqtarët kanë të drejtë kushtetuese

Nga B.M
635 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi sot qeverinë për përmbysje të piramidës së pagave, duke deklaruar se kjo situatë ka cenuar hierarkinë institucionale dhe ka krijuar pabarazi në sistemin e drejtësisë.

Gjatë një konference për mediet, teksa u pyet në lidhje me debatin ndërmjet kryeministrit Edi Rama dhe Shoqatës së Gjyqtarëve për pagat e gjyqtarëve, Berisha tha se ndërtimi i piramidës së pagave është një kompetencë ekskluzive e ekzekutivit dhe një proces me përgjegjësi të lartë shtetërore.

Sipas Berishës, sot raporti i pagave në sistemin e drejtësisë është i deformuar. Berisha u shpreh se kërkesat e gjyqtarëve janë të drejta dhe të mbështetura në Kushtetutë.

“Çështja e pagave, unë e kam sqaruar, pagat dhe piramida e pagave janë e drejtë absolute ekskluzive për të gjithë shtetin dhe institucionet e tij e ekzekutivit, përveç ndërmarrjeve publike, që funksionojnë me mekanizëm tjetër. Ndërtimi i piramidës së pagave është një detyrë me shumë përgjegjësi dhe jashtëzakonisht e rëndësishme. Ndërtuesi i saj, në piramidën e pagave pasqyron përparësitë që ka kombi në rrugën e zhvillimit.

“Çdo gjykatës sot ka 100 për qind të drejtë të mos pranojë piramidën ekzistuese. Nuk është këtu çështja e niveleve. Është çështja sepse ky një prokurori në prokurorinë speciale i jep një rrogë dy herë më të madhe se gjykatësit kushtetues. Shteti është i detyruar t’i qëndrojë hierarkisë. Dhe kjo hierarki përcakton rrogën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, atë të Presidentit të Republikës.

“Ata kanë të drejtën e Zotit, kanë të drejtën e Kushtetutës, kanë të drejtën e ligjit në pretendimin e tyre. Nuk do mbështesja unë kurrë, por unë mbështes të drejtën. E drejta është që piramida është përmbysur dhe është përmbysur vetëm e vetëm për të paguar një grup mercenarësh për qëllime politike”, tha Berisha.

Ai tha se kryeministri Rama ka votuar vetë ndryshimet ligjore që, sipas tij, kanë përmbysur piramidën e pagave.

“Ky e ka përmbysur piramidën. Ky është përgjegjësi kryesor. Nuk luhet me piramidën e rrogave”, tha Berisha.

Berisha tha se qeveria ka përmbysur hierarkinë shtetërore për interesa politike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër