Në listën e barnave përfshihet terapia kundër duhanit

Nga Xh M
374 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 prill Zhurnal.mk – Për herë të parë, në listën pozitive të barnave është përfshirë edhe terapia kundër duhanpirjes. Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, sqaroi se nuk heq dorë nga ligji për mbrojtjen nga duhani, por kjo është pjesë e strategjisë për zbatimin e tij. Sipas tij, qëllimi i Ministrisë së Shëndetësisë dhe i Qeverisë është që brenda tre viteve të ulin përqindjen e duhanpirësve aktivë nga 45 për qind në 20 për qind.

“Ky hap është pjesë e strategjisë së ligjit, pasi që ligji edhe njëherë potencojmë që ka dy qëllime. Qëllimi i parë është që ti mbrojmë qytetarët të cilët nuk janë duhanpirës aktiv dhe qëllimi i dytë është që të informon qytetarët të cilët janë duhanpirës aktiv që të zvogëlojnë atë apo ta lënë komplet”, deklaroi Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.

Projektligji për mbrojtjen nga pirja e duhanit parashikon masa të rrepta, duke përfshirë ndalimin e plotë të pirjes së duhanit në ambientet publike dhe të punës. Po ashtu, ai parasheh ndalimin e reklamimit, promovimit dhe sponsorizimit nga industria e duhanit, si dhe rregullimin e shitjes, shfaqjes dhe ekspozimit të produkteve të duhanit dhe nikotinës. Pas kërkesave të gastronomëve dhe konsultimeve me ekspertë, në propozim-ligj është paraparë që tarracat të jenë të hapura në dy anë, ndërsa bizneset të kenë hyrje të veçantë për jo duhanpirësit.

Qëllimi i ligjit është mbrojtja e qytetarëve që nuk pinë duhan, duke u mundësuar atyre të frekuentojnë objektet pa u ekspozuar ndaj tymit, ndërsa për duhanpirësit do të caktohen zona të veçanta.

Objektet gastronomike do të kenë një afat prej gjashtë muajsh për t’u përshtatur me kërkesat e reja ligjore. Megjithatë, subjektet që e konsiderojnë këtë periudhë të pamjaftueshme, në koordinim me ekspertët, mund të kërkojnë zgjatjen e afatit edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Ligji pritet të miratohen në seancën e ardhshme të qeverisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër