Tiranë, 10 prill Zhurnal.mk – Në një tryezë diskutimi të mbajtur ditën e sotme në qytetin e Durrësit me ekspertë dhe përfaqësues të departamenteve në Partinë Demokratike, kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se porti përbën pasurinë publike më të madhe të vendit, me një vlerë që arrin deri në 4 miliardë euro.
Berisha tha se qeveria socialiste synon përvetësimin e kësaj pasurie përmes një projekti që deformon funksionin strategjik të portit dhe i shërben interesave private.
Sipas kreut të PD-së, Porti i Durrësit është konsideruar nga strukturat europiane si një nyje kyçe për transportin dhe logjistikën, si dhe një pikë me rëndësi strategjike në kuadër të NATO. Ai theksoi se zëvendësimi i këtij porti me një tjetër më të vogël është një akt antikombëtar.
“Investimet që janë bërë, thellimet, leverdishmëria e jashtëzakonshme e këtij porti për të gjithë zonën nga Mati gjer te Ura e Mifolit. Dhe autoriteti i BE për portet e kishte klasifikuar dhe studiuar Durrësin si port të një rëndësie strategjike”, u shpreh Berisha.
“Të gjitha studimet e shpalosjes së forcave të armatosura të Shqipërisë në kuadër të NATO-s, Durrësin e kishin në epiqendër. Nuk kishin përcaktuar as Vlorën, as Sarandën, as Shëngjinin, por Durrësin. Pra, çdo gjë ishte e stabilizuar. Durrësi, me infrastrukturën e re që ndërtohej, me Rrugën e Kombit, me hekurudhën Durrës-Prishtinë, me Korridorin 8, me aksin veri-jug, Durrësi shndërrohej si epiqendra më kryesore e transportit në rajon”, tha Berisha.
Berisha tha se zhvendosja e portit dobëson rolin gjeostrategjik të vendit dhe favorizon interesa të ngushta ekonomike.
Kreu i PD-së paralajmëroi se Partia Demokratike do ta trajtojë këtë çështje si prioritet kombëtar dhe do të ndërmarrë protesta dhe veprime për ta kundërshtuar projektin.
“Ne portin e Durrësit do ta trajtojmë në axhendën tonë si çështje kombëtare të dorës së parë. Mbrojtjen e interesit kombëtar, se nuk është vetëm i qytetarëve të Durrësit, por është i mbarë Shqipërisë, ne do e përcaktojmë këtë si çështje madhore kombëtare, strategjike, të rëndësishme, antikorrupsion e me radhë”, tha ai.
