Berisha: Prej 8 muajsh është bllokuar ngritja e komisioneve hetimore

Nga D. V.
385 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 3 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se mazhoranca ka 8 muaj që i ka mohuar opozitës të drejtën themelore kushtetuese, komisionet hetimore.

Gjatë një konference për shtyp, Berisha iu referua kërkesës më të fundit të dorëzuar nga opozita për ngritjen e komisionit hetimor për ligjshmërinë e AKSHI-t, ndërsa shprehu bindjen se “Edi Rama do të bëjë gjithçka që të mos e lejojë”.

Ndërkohë sipas tij, protestat janë mjeti kryesor që i ka mbetur opozitës për të reaguar.

“Prej 8 muajsh nuk ka asnjë komision hetimor. Ndaj dhe ne u jemi drejtuar shqiptarëve. Ndaj dhe protesta e 17 prillit është kryengritja paqësore më e rëndësishme e qytetarëve shqiptarë. Parlamentin e kanë asgjësuar me të gjitha mjetet dhe ne kemi vetëm protestën si mjetin më kryesor”, u shpreh Berisha.

Kreu i PD-së deklaroi po ashtu se opozita e mbështet procesin e integrimit, ndonëse Shqipëria përveç kriterit gjeostrategjik, nuk plotëson asnjë kriter tjetër.

“Ky ka qenë qëndrimi ynë, por në qoftë se ne marrim përsipër të mashtrojmë në zbatimin e kritereve, standardeve, kërkesave, atë nuk e bëjmë kurrë. Ne kemi thënë të vërtetat, dhe të vërtetat tona po provohen, po faktohen. Dhe do i themi vazhdimisht. Kurrë nuk mund të mashtrojmë ne komunitetin ndërkombëtar”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se PD kërkon një proces të bazuar në meritë, sepse beson se kriteret janë absolutisht të realizueshme.

Berisha foli po ashtu edhe për përjashtimet në anëtarësinë e PD-së, ndërsa theksoi se “çdo i përjashtuar ka të drejtën e ankimit”.

Por, sipas tij, “kushdo që ka punuar me kundërshtarin, nuk ka vend në PD”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër