Berisha: Rama sulmon drejtësinë, mbron veten dhe rrethin e tij

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar nëpërmjet një videomesazhi pas fjalës së kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e grupit parlamentar të PS.

Berisha e akuzoi Ramën për sulm ndaj drejtësisë dhe për përpjekje të hapur për të mbrojtur veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij.

“Edi Rama, në fjalën e tij, përveçse mbrojti veten në të gjitha mënyrat, duke përdorur administratën, rolin dhe misionin e saj në një shtet, si edhe ndershmërinë dhe dinjitetin e saj, sulmoi në mënyrën më të verbër drejtësinë, institucionin e akuzës dhe gjithçka që vërtitej rreth tij personalisht, i vetëdijshëm se është tashmë në rreth të kuq”, tha Berisha.

Berisha tha se Rama po manipulon opinionin publik duke shfrytëzuar integritetin e drejtueses së AKSHI-t si mburojë, ndërsa teksa ai fliste sot, parlamentarët europianë kërkuan heqjen e imunitetit dhe dhënien para drejtësisë Belinda Ballukun, si dhe kushte të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit

“Sot, në të njëjtën kohë kur ai fliste, në Parlamentin Europian, parlamentarë të nderuar kishin një seancë debati për Shqipërinë, në të cilën u deklarua se krimi dhe korrupsioni në Shqipëri kanë kapur nivelet më të larta të pushtetit”, theksoi kreu i PD.

Berisha u shpreh se, në Parlamentin Europian, në të njëjtën kohë, u kërkua në mënyrë të prerë heqja e imunitetit dhe dhënia para drejtësisë e zv/kryeminsitres  Belinda Ballukut.

“U kërkuan kushtëzime të forta për Shqipërinë në procesin e integrimit dhe heqja përfundimisht dorë nga amendamentet dhe ligjet me të cilat Edi Rama do të mbrojë veten, familjen dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha Berisha.

Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar të shtunën në orën 18:00, duke e cilësuar këtë moment si vendimtar për të goditur “narkoregjimin” dhe krimin në qeveri.

artikuj të ndërlidhura