Tetovë, 22 gusht Zhurnal.mk – Është shuar plotësisht zjarri që shpërtheu dje në territorin e Komunës së Zhelinës, në afërsi të fshatit Cerovë. Gjatë orëve të mbrëmjes, flakët u përhapën në drejtim të lokalitetit Karpallëk, pranë autostradës Shkup–Tetovë.
Në shuarjen e zjarrit, nga ana e Tetovës ndërhyri Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Tetovës, ndërsa nga ana e Shkupit veproi Brigada e Mbrojtjes Kundër Zjarrit e Qytetit të Shkupit.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim u shprehu mirënjohje zjarrfikësve nga Tetova dhe Shkupi, të cilët, pavarësisht kushteve të vështira gjatë natës, arritën ta shuanin zjarrin e madh. Në disa pjesë, ndërhyrja u zhvillua në terren të vështirë dhe pothuajse të paarritshëm.
Gjatë ditës së djeshme, në të gjithë vendin janë shuar plotësisht 29 zjarre në ambiente të hapura.
