Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë një ndryshim të lehtë në numrin e përfituesve të pensioneve për veteranët e luftës gjatë muajve të fundit.
Sipas statistikave zyrtare, në muajin janar pensione kanë marrë 38 mijë e 63 veteranë, ndërsa në muajin shkurt ky numër ka rënë në 37 mijë e 893 veteranë.Kjo paraqet një ulje prej 170 përfituesish nga një muaj në tjetrin.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hyseni Gucati ka sqaruar për “Front Online” se cilat janë arsyet që bie numri i veteranëve që marrin pension.
Gucati ka deklaruar se numri i veteranëve përfitues është në rënie, duke thënë se kjo lidhet kryesisht me vdekjet dhe ndryshimet në statusin e punësimit.
“Veteranë ka më pakë se vetëm sot i kemi varrosur tre, muajin shkurt dhe mars i kemi varrosur 28 veteranë deri më tash , është numër më i vogël sepse janë duke vdekur dhe arsyeja e dytë sepse disa punojnë në sektorin privat janë duke aplikuar për çështjen e pagës. Rreth 37 mijë marrin paga”, u shpreh Gucati.
