Bilall Kasami: Kongresi i 9 majit reflekton realitetin e ri të VLEN

Nga B.M
309 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 07 maj, Zhurnal.mk – Njëri nga liderët e VLEN, Bilall Kasami, në intervistë për Alsat-M ka folur për Kongresin e 9 majit dhe procesin e unifikimit të koalicionit, duke theksuar se struktura e re do të pasqyrojë realitetin e pesë subjekteve themeluese.

Ai tha se gjatë dy viteve të fundit është punuar për harmonizimin e dallimeve dhe ndërtimin e një modeli të përbashkët funksionimi.

“E di që ka pasur presion të ndodhë shumë më herët, por më mirë të sheshojmë të gjitha dallimet dhe modelet e funksionimit kur bëhet bashkimi i më shumë subjekteve dhe besoj që në bazë të informatave nga grupi i punës edhe në aspektin e programit, statutit, kemi arritur që të kemi një marrëveshje që reflekton realitetin e VLEN-t, si një organizatë që një periudhë të gjatë do t’i përfaqësojë shqiptarët”, tha Bilall Kasami.

Ai shtoi se vendimet për bashkimin janë marrë me konsensus të plotë brenda koalicionit.

“Nga 9 maji jemi një subjekt politik ku të gjithë funksionarët do të jenë të VLEN-it”, ka thënë Kasami.

Duke folur për rikonstruimin e Qeverisë, Kasami theksoi se procesi vjen në moment të rëndësishëm, kur sipas tij duhet rishikuar performanca qeveritare.

“Deri tani VLEN ka pasur një realitet tjetër. Ajo ka qenë 5 subjekte politike të organizuara në një koalicion. Prej 9 majit, do të kemi realitet tjetër, të gjithë funksionarët do të jenë të VLEN-it. Besoj që riformatimi i Qeverisë është në kohën e duhur, kur ne si VLEN duhet të rishikojmë performancën tonë në Qeveri dhe ta shohim se ku duhet të shkojmë”, deklaroi Bilall Kasami.

Ai shtoi se riformatimi i ekzekutivit është mundësi për korrigjimin e gabimeve dhe për rritjen e efikasitetit qeverisës.

“Tani më nuk kemi kohë për provim shtesë, për afat shtesë, sepse zgjedhjet e rregullta janë jo më larg se 2 vjet prej tani. Dhe riformatimi i ardhshëm i Qeverisë do të jetë mundësi e mirë që gabimet të cilat i kemi bërë t’i përmirësojmë dhe ta arrijmë performancën që e presin qytetarët”, tha Kasami.

Duke folur për raportet brenda koalicionit, ai komentoi edhe rastin e Fatmir Limanit, duke theksuar se marrëdhëniet personale kanë qenë korrekte, por ka pasur mospajtime politike.

“Nuk arrij ta kuptoj as edhe sot se ç‘pati, personalisht kam pasur një relacion shumë korrekt, jo që kam pasur ndonjë konflikt të patejkalueshëm…”, tha Bilall Kasami.

Ai përmendi gjithashtu edhe zhvillimet me zv/kryeministrin Arben Fetai, duke thënë se kanë pasur dallime në qasje për zhvillimet e brendshme në VLEN.

“Për shkak të specifikave, ku Fetai ka qenë drejtues i ASH-së nuk është që mund të flasë se çka ndodhi me të. Ajo që mund të them është se kemi pasur një kundërshtim se si i shihte zhvillimet e fundit brenda VLEN dhe se aty ka qenë kundërshtimi jonë i parë”, ka nënvizuar mes tjerash Kasami.

Në pjesën e reformave ligjore, Kasami u ndal edhe te Ligji për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat, duke thënë se ai plotëson një boshllëk të gjatë institucional.

“Si rezultat i Marrëveshjes së Ohrit, përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese dhe në këtë rast çdo parim kushtetues duhet të materializohet në ligj dhe pastaj të implementohet me akte nënligjore. Në pamundësi BDI-ja të sjell një ligj adekuat, kur u dorëzua se nuk mund të sjellë një gjë të tillë, me akte nënligjore solli një mekanizëm që njihet si “balancuesi”. Pra, mungonte një hallkë e rëndësishme, nga parimi kushtetues deri te implementimi në praktikë dhe kjo sillte keqpërdorime të shumta, duke u deklaruar shumë qytetar si nacionalitet tjetër”, tha Kasami.

Ai thotë se ligji nuk përjashton mekanizma në nivel të akteve nënligjore për ta rregulluar teknikisht mënyrën e arritjes së përfaqësimit të drejtë dhe adekuat.

“Me këtë ligj ne plotësojmë këtë boshllëk. Nuk ka ligj perfekt, çdo ligj i nënshtrohet nismave për plotësim dhe ndryshim. Por po them që ne po zgjidhim një problem 20-vjeçar që nuk e ka zgjidhur BDI. Pas miratimit në Kuvend, do të rregullohet me akte nënligjore. Ligji nuk përjashton mekanizma siç ka qenë balancuesi”, deklaroi Kasami.

Bashkëkryetari i VLEN-it nënvizoi se në vitin 2025, gjatë qeverisjes së VLEN-it, është rritur përqindja e përfaqësimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore, sipas të dhënave nga Avokati i Popullit.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër