Shkup, 28 maj Zhurnal.mk – LSDM ka paralajmëruar se do ta mbështesë interpelancën ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, e cila sot u dorëzua nga partia Levica.
Deputeti i LSDM-së, Blagoj Boçvarski, deklaroi për “24 Analiza” se partia e tij vazhdimisht ka kërkuar dorëheqjen e Toshkovskit dhe për këtë arsye do ta përkrahë iniciativën për interpelancë.
“Duke pasur parasysh faktin se ne vazhdimisht e kemi thirrur ministrin e Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, të japë dorëheqje, edhe sot e përsëritëm të njëjtën kërkesë. Do ta mbështesim interpelancën e Levicës për Toshkovskin. Do të kemi koordinim, por po, supozoj se do ta mbështesim”, deklaroi Boçvarski.
Ai akuzoi pushtetin se po e bllokon interpelancën për ministrin e Bujqësisë, ndërsa nuk dha afat konkret se kur LSDM do t’i propozojë anëtarët për komisionin hetimor lidhur me rastin e Koçanit.
Boçvarski tha se partia fillimisht do të zhvillojë bisedime të brendshme para se të marrë vendim për emrat që do të propozojë.
“Do të bisedojmë në parti dhe më pas do të marrim vendim se kur do t’i propozojmë anëtarët”, tha ai, duke shtuar se për sjelljen e kryetarit të Kuvendit, Afrim Gashi, është ngritur interpelancë.
