Tiranë, 8 prill Zhurnal.mk – Bordi i Transparencës vendosi sot çmimet e reja të karburanteve, në reflektim të luhatjeve në bursën Platts të Mesdheut.
Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e radhës, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 u ul me 4 lekë, duke zbritur në 220 lekë për litër nga 224 lekë që ishte vendosur më 3 prill, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk do të kalojë 208 lekë për litër.
Për nënproduktin benzinë, çmimi maksimal me pakicë është vendosur në 181 lekë për litër, ndërsa me shumicë nuk duhet të tejkalojë 169 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot në orën 15:30 dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit, ku do të pasqyrohen ndryshimet e mundshme të çmimeve.
Autoritetet tërheqin vëmendjen e operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin e zbatimit të këtij vendimi, duke paralajmëruar se shkeljet do të rezultojnë në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, janë angazhuar për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe ruajtjen e parimeve të konkurrencës së ndershme në treg.
