BOTËRORI 2026 – Qindra policë dislokohen në Meksiko Siti para hapjes së Kupës së Botës

Nga D. V.
886 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Meksiko Siti, 11 qershor, Zhurnal.mk – Qindra efektivë policie u dislokuan në Aeroportin Ndërkombëtar të Mexico Siti përpara ndeshjes hapëse të Kupës së Botës, ndërsa autoritetet shtuan masat e sigurisë për shkak të rrezikut të protestave të mësuesve në mbrëmjen e nisjes së turneut.

Sipas videove të publikuara nga mediet lokale, oficerë të pajisur me helmeta, mburoja dhe shkopinj gome u vendosën brenda dhe jashtë terminalit të aeroportit Benito Juarez. Aeroporti njoftoi se hyrja do të lejohet vetëm për pasagjerët me karta imbarkimi dhe shoqëruesit e domosdoshëm, duke u kërkuar udhëtarëve të mbërrijnë më herët për shkak të demonstratave të mundshme në zonë.

Masat e sigurisë janë forcuar gjithashtu rreth stadiumit “Estadio Azteca”, ku Meksika do të përballet sot me Afrikën e Jugut  në ndeshjen e parë të turneut, pas ceremonisë së hapjes.

Paqartësi mbetet edhe për festivalin e planifikuar të tifozëve në sheshin qendror Zócalo, ku një sindikatë radikale e mësuesve vazhdon të mbajë një kamp proteste. Grupi ka organizuar bllokime rrugësh dhe demonstrata në kryeqytet, duke kërkuar shfuqizimin e ligjit të pensioneve të vitit 2007, një kërkesë që qeveria e konsideron të parealizueshme.

Autoritetet po shqyrtojnë ende nëse Zócalo, ku pritet të mblidhen deri në 80 000 vizitorë, do të jetë i disponueshëm për festimet e Kupës së Botës. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum kishte planifikuar ta ndiqte ceremoninë e hapjes aty dhe jo në stadium.

“Nëse Zócalo nuk do të jetë i disponueshëm për ceremoninë e hapjes për çfarëdo arsyeje, ekzistojnë 18 vende ku eventi mund të ndiqet falas”, deklaroi Sheinbaum.

Ndërkohë, kryetarja e bashkisë së Meksiko Siti , Clara Brugada, tha se autoritetet do të sqarojnë më vonë mënyrën se si do të zhvillohet festivali i tifozëve.

Meksika po organizon Kupën e Botës për herë të tretë në histori. Këtë herë turneu zhvillohet bashkërisht me Shtetet e eBashkuara të Amerikës dhe Kanadanë. Mekskio Siti do të presë pesë ndeshje, ndërsa qytetet Monterrei dhe Guadalajara do të organizojnë nga katër ndeshje secila.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër