Bozhinovska: Po ndërtojmë sistem për reagim të shpejtë ndaj kërcënimeve kibernetike

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 02 nëntor, Zhurnal.mk – Siguria kibernetike është pjesë e pandashme e sigurisë energjetike dhe ndikon drejtpërdrejt në furnizimin me energji, stabilitetin e sistemit dhe sigurinë kombëtare. Kështu deklaroi ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, gjatë aktivitetit kushtuar forcimit të sigurisë kibernetike në sektorin energjetik.

Në aktivitetin me temë “Siguria kibernetike në sektorin energjetik: Nga vlerësimi te qëndrueshmëria – Udhërrëfyes për CSIRT-in Energjetik”, Bozhinovska theksoi rëndësinë e krijimit të mekanizmave të qëndrueshëm për mbrojtjen e infrastrukturës kritike energjetike dhe për reagim të koordinuar ndaj kërcënimeve kibernetike.

Ajo bëri të ditur se Ministria, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet përkatëse, po punon për zhvillimin e zgjidhjeve sistemike që do të mundësojnë identifikimin dhe trajtimin në kohë të rreziqeve që mund të cenojnë sektorin energjetik.

Sipas Bozhinovskës, ndërtimi i një sistemi efikas të reagimit ndaj incidenteve kibernetike është i rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e infrastrukturës energjetike, por edhe për garantimin e furnizimit të qëndrueshëm me energji dhe sigurisë së përgjithshme të vendit.

Aktiviteti synon të kontribuojë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe në krijimin e një qasjeje të koordinuar për rritjen e qëndrueshmërisë kibernetike të sektorit energjetik.

artikuj të ndërlidhura