Murseli Godet Kostovski: Buteli nuk është pronë e jotja. Nacionalizmit dhe përçarjes po u vjen fundi!

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Shkup, 2 nëntor, Zhurnal.mk – Këshilltari i BDI-së në Komunën e Butelit, Armend Murseli, ka reaguar ashpër ndaj kryetarit të komunës, Darko Kostovski, pas deklaratave të këtij të fundit lidhur me paralajmërimin e Ziadin Selës se, pas fitores në Bërvenicë, radha i vjen Butelit.

Sipas Murselit, Kostovski nuk ka pse të shqetësohet nga deklaratat e Selës apo Ali Ahmetit, pasi për fatin politik të Butelit vendosin qytetarët dhe jo ambiciet e individëve.

Ai paralajmëroi se mobilizimi që solli fitoren në Bërvenicë mund të përsëritet edhe në Butel, duke theksuar rolin vendimtar të diasporës.

“Diaspora është thesari ynë! Ata që gjithmonë e kanë ruajtur lidhjen me vendlindjen do të vijnë me zemër dhe do ta shprehin vullnetin e tyre edhe në Butel, sa herë të jetë nevoja”, deklaroi Murseli.

Ai akuzoi Kostovskin për nxitje të nacionalizmit dhe përçarjes, duke theksuar se Buteli ka nevojë për bashkëjetesë, barazi, respekt dhe zhvillim, e jo për tensione ndëretnike.

“Do të vijë koha kur nacionalizmi dhe përçarja që po bëni do të marrin fund. Shumë shpejt Buteli do të jetë vend i bashkimit, barazisë dhe respektit për të gjithë qytetarët!”, përfundoi Murseli.

artikuj të ndërlidhura