Bujar Osmani: Do të insistoj që kopshti të jetë i detyrueshëm, aty vendosen themelet e së ardhmes

nga Redaksia

Shkup, 9 shtator – Kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, paralajmëroi një hap serioz në qasjen ndaj arsimit parashkollor. Në fjalimin e tij para qytetarëve, Osmani theksoi se si kryetar komune do të insistojë para Qeverisë që të futet detyrimi për ndjekjen e kopshtit nga të gjithë fëmijët.

“Jam i vetëdijshëm se kjo është kompetencë e Qeverisë, por si kryetar i Komunës së Çairit do të insistoj që arsimi parashkollor të jetë i detyrueshëm“, deklaroi Osmani.

Siç theksoi ai, kjo nuk është vetëm një rekomandim pedagogjik, por një nevojë thelbësore e vërtetuar edhe nga analiza ndërkombëtare. Rezultatet e testit të fundit PISA tregojnë qartë për dallime dramatike në arritjet mes nxënësve që kanë ndjekur kopsht dhe atyre që nuk e kanë bërë këtë. Maqedonia e Veriut dhe Kosova ishin ndër më të dobëtat në Ballkan, dhe një nga faktorët kryesorë për këtë është mungesa e arsimit të hershëm fëmijëror.

“Kjo do të thotë se fakti nëse një fëmijë shkon ose nuk shkon në kopsht ndikon shumë në suksesin e tij në shkollën fillore, pastaj në të mesmen, në universitet dhe në suksesin e përgjithshëm. Prandaj do të insistoj, para së gjithash si politikan, që arsimi parashkollor të jetë i detyrueshëm“, tha Osmani.

Ai gjithashtu njoftoi ndërtimin e dy kopshteve të reja moderne në lokacione kritike, si pjesë e planit urbanistik të arkitektit botërisht të njohur Michel Rojkind, i cili do të prezantohet publikisht para banorëve të Çairit në ditët në vijim.

Përveç kopshteve të reja, Osmani paralajmëroi edhe rinovimin e plotë të kapaciteteve ekzistuese, me përmirësimin e plotë të kushteve, nga tualetet deri te shtrati dhe hapësirat e qëndrimit.

„Në Dyqanxhik më janë ankuar se nuk ka qëndrim të tërëditor, ndërsa në Çairin e vjetër më thanë se vendosin nga dy fëmijë në një shtrat për shkak të mungesës së kapaciteteve“, theksoi Osmani.

Ai shtoi se themeli i arsimit vendoset që në kopsht, ndërsa kopshtet cilësore janë një investim në të ardhmen e Çairit dhe të gjithë shtetit.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More