Shkup, 13 maj Zhurnal.mk – Çarshia po shndërrohet në një pikë takimi të ideve, kreativitetit dhe vizionit për të ardhmen, përmes një bashkëpunimi të ri me ekspertë dhe studentë të arkitekturës nga Turqia.
Në kuadër të kësaj iniciative, është mirëpritur eksperti i urbanizmit Bajram Vardar së bashku me 20 studentë dhe pesë profesorë të arkitekturës nga Universiteti Teknik i Bursës, të cilët do të angazhohen në përgatitjen e projekteve për zhvillimin e Çarshisë, kështu njofton kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
Sipas njoftimit, ky bashkëpunim synon të sjellë një perspektivë të re për transformimin urban të kësaj pjese me rëndësi të veçantë për qytetin, duke kombinuar energjinë dhe kreativitetin e të rinjve me ekspertizën akademike dhe qasjet moderne të urbanizmit.
“Ide të reja, vizion bashkëkohor dhe respekt për identitetin e Çarshisë do të ndërthuren në një projekt që synon t’i japë më shumë jetë, funksionalitet dhe pamje moderne këtij ambienti të rëndësishëm urban”, thuhet në njoftim.
Projektet e përgatitura nga studentët dhe profesorët pritet të ofrojnë zgjidhje inovative për ruajtjen e identitetit tradicional të Çarshisë, duke e përshtatur atë me nevojat moderne të qytetit dhe qytetarëve, njofton mes tjerash Mexhiti.
https://www.facebook.com/share/p/1CvFukuuC3/
