Shkup, 11 shtator, Zhurnal.mk – Nga 1 janari 2027 Danimarka hap një kapitull të ri në politikat e saj të migrimit ekonomik, duke lejuar punësimin e punëtorëve nga 16 vende jashtë Bashkimit Evropian mes tyre edhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. Ky vendim është një sinjal politik dhe ekonomik që tregon se shteti nordik po kërkon të balancojë nevojat e tregut të punës me ruajtjen e standardeve sociale. Pra, nga aspekti politik është shenjë pozitive për RMV-në, ndërkaq, nga aspekti socio-ekonomik është një derë e hapur për të gjithë qytetarët që po kërkojnë punë dhe jetë dinjitoze, shkruan Zhurnal.
Çfarë po ofron Danimarka?
Danimarka nga 1 janari 2027 do të vendosë një program të ri për punësimin e punëtorëve të huaj nga 16 vende jashtë Bashkimit Evropian. Programi i ri, i quajtur “Skema e biznesit e bazuar në marrëveshjet kolektive”, do t’u mundësojë kompanive daneze të kualifikuara të punësojnë punëtorë nga: Shqipëria, Australia, Brazili, Britania e Madhe, India, Japonia, Kanadaja, Kina, Malajzia, Moldavia, SHBA-ja, Maqedonia e Veriut, Serbia, Singapori, Ukraina dhe Mali i Zi.
Para se të punësojë shtetas të huaj, kompania daneze duhet të marrë certifikatë nga Agjencia Daneze për Rekrutim Ndërkombëtar dhe Integrim (SIRI). Punëdhënësi duhet të ketë së paku dy vjet aktivitet dhe të ketë të paktën 10 punonjës të përhershëm me orar të plotë në Danimarkë.
Kompania duhet gjithashtu të ketë një marrëveshje kolektive të përshtatshme, certifikatë nga Administrata Daneze e Biznesit dhe të mos ketë pasur shkelje të rënda të ligjit të punës, urdhra nga autoritetet apo gjoba të fundit për mosrespektim të pagesave ndaj punëtorëve të huaj.
Certifikata e parë do të jetë e vlefshme për tre vjet, ndërsa më pas mund të zgjatet në katër vjet.
Sa do të jenë të ardhurat vjetore?
Natyrisht që për secilin prej nesh para se të marrim një vendim për migrim apo ndërrim vendbanimi në interes janë edhe të ardhurat mujore përmes të cilave synohet të përmirësohet standardi jetësor. Prandaj, paga minimale vjetore për punëtorët që do të punësohen përmes kësaj skeme do të jetë 322.000 korona daneze, ose rreth 43.000 euro në vit.
Kjo është dukshëm më e ulët se pragu i skemës ekzistuese daneze, i cili për vitin 2026 është 552.000 korona, rreth 69.800 euro në vit. E këtu mund të shihet edhe interesi i shtetit danez për të tërhequr fuqi punëtore që i kushtojnë më pak vendit, e nga ana tjetër është pozitive për punëtorët e vendeve tjera që nga të ardhura maksimale prej 6-7 mijë euro vjetore të kalojnë në një sistem me të ardhura shumëfish më të larta.
Kërkesat për leje qëndrimi dhe pune do të shqyrtohen nga SIRI. Qëllimi i qeverisë daneze është t’ua lehtësojë kompanive gjetjen e fuqisë punëtore të nevojshme, duke ruajtur njëkohësisht standardet e pagave dhe kushtet e punës përmes marrëveshjeve kolektive dhe kontrolleve.
Kujtojmë që, për shqiptarët dhe shtetasit e Maqedonisë së Veriut ky është një zhvillim veçanërisht i rëndësishëm, pasi të dyja vendet janë në listën e 16 shteteve nga të cilat kompanitë daneze do të mund të rekrutojnë punëtorë duke filluar nga viti 2027. /Zhurnal.mk
