Zürich, Tiranë, 10 korrik 2026 – Të enjten në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nuk kishte ateruar një aeroplan i zakonshëm. Ishte fluturimi inaugurues i kompanisë zvicerane Chair Airlines, që shënoi nisjen zyrtare të linjës direkte Cyrih–Tiranë, duke shtuar një tjetër lidhje të rëndësishme ajrore mes Zvicrës dhe Shqipërisë, shkruan albinfo.ch.
Avioni u prit me ceremoninë tradicionale të “water salute”, ndërsa përfaqësues të aeroportit dhe të kompanisë ajrore mirëpritën pasagjerët e fluturimit të parë, duke e cilësuar hapjen e kësaj linje si një moment të rëndësishëm për zhvillimin e lidhjeve ajrore dhe turizmit mes dy vendeve.
Linja e re do të operojë tri herë në javë, çdo të martë, të enjte dhe të shtunë, duke u ofruar udhëtarëve një alternativë të re për udhëtimet mes Zvicrës dhe Shqipërisë.
Për komunitetin shqiptar në Zvicër, kjo nënkupton më shumë mundësi për të udhëtuar drejt atdheut, ndërsa për turistët zviceranë krijohen lidhje edhe më të lehta me Shqipërinë.
Një nga veçoritë e ofertës së Chair Airlines është fleksibiliteti i itinerareve. Pasagjerët mund të fluturojnë nga Cyrihu në Prishtinë, të kalojnë kohë me familjen dhe miqtë në Kosovë, të vazhdojnë pushimet në bregdetin shqiptar dhe të kthehen në Zvicër nga Tirana. Po ashtu, itinerari mund të realizohet edhe në drejtimin e kundërt, duke u përshtatur me planet e secilit udhëtar.
Chair Airlines është një kompani ajrore zvicerane me seli në Zyrih, e specializuar në fluturimet turistike. Ajo operon me avionë Airbus A319 dhe A320 dhe, me përfshirjen e Tiranës në rrjetin e saj, synon të zgjerojë më tej praninë në rajonin e Ballkanit.
Në ceremoninë inauguruese, drejtues të Chair Airlines dhe Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës vlerësuan bashkëpunimin mes palëve dhe shprehën bindjen se linja e re do të kontribuojë në rritjen e numrit të udhëtarëve, forcimin e lidhjeve ekonomike dhe zhvillimin e turizmit mes Zvicrës dhe Shqipërisë.
Përveç lehtësimit të udhëtimeve për diasporën shqiptare, linja e re pritet të ndikojë pozitivisht edhe në promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik për tregun zviceran, veçanërisht gjatë sezonit veror.
