Chelsea monitoron katër mesfushorë, Alex Scott mbetet objektivi kryesor

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Chelsea pritet të përforcojë mesfushën gjatë afatit kalimtar të janarit, ndërsa në listën e drejtuesve të klubit londinez janë katër emra me profile të ndryshme.

Chelsea e la të papërfunduar një nga objektivat kryesore gjatë afatit kalimtar të verës, përforcimin e repartit të mesfushës.

Klubi londinez humbi Enzo Fernandezin në ditët e fundit të afatit kalimtar dhe kur gjithçka dukej se ishte drejt transferimit të Lamine Camarasë nga Monaco, klubi francez vendosi të tërhiqej nga marrëveshja.

Si rrjedhojë, trajneri Xabi Alonso mbeti pa një tjetër alternativë për mesfushën, ndaj drejtuesit e Chelseat pritet të ndërhyjnë në këtë repart gjatë afatit kalimtar të janarit, me synimin për të transferuar të paktën një futbollist, e ndoshta edhe dy.

Objektivi kryesor i londinezëve mbetet Alex Scott, i cili prej kohësh është në krye të listës së dëshirave të drejtuesve sportivë. Megjithatë, transferimi i tij nuk do të jetë i lehtë, pasi për shërbimet e mesfushorit pritet të nevojitet një investim që mund t’i afrohet shifrës prej 100 milionë eurosh.

Për këtë arsye, Chelsea po shqyrton edhe alternativa të tjera në treg, për të pasur më shumë mundësi në dispozicion, qoftë gjatë janarit apo në afatin kalimtar të verës së ardhshme.

Sipas gazetarit Simon Phillips, në listën e klubit londinez janë edhe katër emra të tjerë, me profile dhe potencial të ndryshëm.

Emri më i mundshëm është Harrison Armstrong, 19-vjeçari i Evertonit, i cili po kalon një sezon të mirë dhe po tërheq vëmendjen me paraqitjet e tij. Një profil i ngjashëm është edhe Lewis Miley, 20-vjeçari i Newcastle United, i cili konsiderohet një futbollist me perspektivë të madhe për të ardhmen.

Në listë gjendet edhe Josh King, 19-vjeçari i Fulhamit, i cili ka karakteristika më sulmuese dhe mund të luajë në pozicionin e mesfushorit ofensiv, por edhe si anësor i sulmit.

Ndërkohë, alternativa më pak e mundshme konsiderohet Myles Lewis-Skelly i Arsenalit. 20-vjeçari ka fituar një vend të rëndësishëm në formacionin e skuadrës londineze, çka e bën largimin e tij një operacion mjaft të vështirë.

Megjithatë, sipas burimit në fjalë, Chelsea po i monitoron të gjithë këta futbollistë, por transferimet e tyre duken më të mundshme për afatin kalimtar të verës së vitit 2027.

Kjo për shkak se të gjithë janë pjesë e rëndësishme e skuadrave të tyre aktuale, ndërsa klubi londinez duhet të përgatitet edhe për investimin e madh që kërkohet për Alex Scott.

artikuj të ndërlidhura