Chelsea nis negociatat për yllin e Barcelonës me kërkesë të Xabi Alonsos

Nga D. V.
1,337 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Chelsea ka shfaqur interesim për transferimin e Dani Olmos gjatë afatit kalimtar të verës, me kërkesë të trajnerit të ri Xabi Alonso, i cili e sheh spanjollin si një përforcim ideal për repartin ofensiv para sezonit të ardhshëm në Ligën Premier. ‘Blutë’ thuhet se po përgatisin një ofertë prej 70 milionë eurosh.

Projekti i udhëhequr nga tekniku bask, i cili pritet të marrë zyrtarisht drejtimin e skuadrës në ‘Stamford Bridge’, synon të rikthejë Chelsean mes elitës së futbollit anglez përmes transferimeve të profilit të lartë.

Drejtuesit e klubit londinez janë të vendosur t’i ofrojnë trajnerit të ri të gjitha mjetet e nevojshme për ta kthyer skuadrën në garë për trofetë më të rëndësishëm.

Një nga objektivat kryesorë të Alonsos për repartin ofensiv është Dani Olmo, të cilin ai e konsideron si pjesën kyçe për të rritur kreativitetin dhe cilësinë në zonën e mesfushës.

Trajneri spanjoll dëshiron të ndërtojë një repart sulmues spektakolar, ku Olmo do të kombinohej me talentin premtues të Estevaos, cilësitë e Cole Palmer dhe shpejtësinë e Joao Pedro.

Vizoni i lojës, aftësia krijuese dhe inteligjenca taktike e 28-vjeçarit kanë bindur stafin teknik të Chelseat, i cili kërkon më shumë dinamizëm dhe efikasitet në fazën sulmuese.

Ndërkohë, qëndrimi i Barcelonës mund t’ia lehtësojë Chelseat realizimin e këtij transferimi. Drejtuesit katalanas e konsiderojnë Olmon si një nga lojtarët që mund të shitet gjatë verës për të siguruar të ardhura shtesë.

Edhe pse ai ka kontratë deri në verën e vitit 2030, paraqitjet e tij të paqëndrueshme gjatë sezonit të fundit kanë ngritur pikëpyetje në ‘Camp Nou’.

Olmo e mbylli sezonin me tetë gola dhe dhjetë asistime në 49 paraqitje zyrtare, por drejtori sportiv Deco dhe drejtuesit e klubit besohet se janë të gatshëm të dëgjojnë oferta për largimin e tij.

Barcelona synon të përdorë rreth 70 milionë eurot e mundshme nga shitja e Olmos për të financuar transferime të tjera që do t’i japin më shumë alternativa taktike trajnerit Hansi Flick për sezonin e ardhshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër