Çupiq: Me liderët e rajonit, pjesëmarrës në Procesin Brdo-Brioni, vendosëm një cilësi të re komunikimi

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Ohër, 27 nëntor Zhurnal.mk – Presidenti në detyrë i Serbisë, Aleksandar Çupiq, pas takimit bilateral me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, në kuadër të Procesit Brdo-Brioni në Ohër, tha se diskutuan edhe për përfshirjen e të rinjve në proceset politike. Sipas tij, kjo është e rëndësishme për të ardhmen e rajonit dhe për të krijuar kushte që të rinjtë të qëndrojnë në vendet e tyre.

“Presidentja e Maqedonisë së Veriut vjen nga bota akademike. Patëm disa tema personale dhe simpati të përbashkëta për të rinjtë dhe për përfshirjen e tyre në proceset politike. Kjo duhet të shërbejë si një lloj ilaçi për rajonin, nëse duam që ai t’i mbajë të rinjtë dhe të mbijetojë, duke bërë që ata të qëndrojnë këtu, së bashku me ne”, tha Çupiq.

Çupiq u përmbajt nga komentimi i marrëdhënieve dhe çështjeve dypalëshe ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, por vlerësoi se Procesi Brdo-Brioni është një shembull i bashkëpunimit rajonal dhe i mundësisë që vendet anëtare të BE-së t’i ndajnë përvojat e tyre me shtetet që synojnë anëtarësimin.

Për marrëdhëniet me Bullgarinë, ai tha:

“Procesi Brdo-Brioni është shembull se si shtetet që tashmë janë pjesë e Bashkimit Evropian mund të ndërmarrin iniciativa dhe të na ofrojnë përvojat e tyre neve që jemi në rrugën drejt BE-së. Nuk jam plotësisht i informuar për këtë çështje, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova bëri disa komente, por do të përmbahesha nga komentimi i marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Mendoj se ndoshta edhe Bullgarisë i takon të jetë këtu dhe të ndihmojë, duke qenë se është tashmë anëtare e BE-së. Të gjithë jemi pjesë e të njëjtit rajon.”

Çupiq vlerësoi se takimet dypalëshe me përfaqësuesit e rajonit, përfshirë Zhelka Cvijanoviqin, Jakov Milatoviqin dhe Gordana Siljanovska-Davkovën, u zhvilluan në frymë miqësore dhe sollën një cilësi të re komunikimi.

Ai theksoi se ky ishte samiti i tij i parë ndërkombëtar dhe se përvoja i kishte lënë mbresa, por njëkohësisht i kishte kujtuar edhe mundësitë që Serbia mund t’i ketë humbur në bashkëpunimin rajonal.

Sipas tij, marrëdhëniet e mira me fqinjët janë të rëndësishme edhe në jetën e përditshme, ndërsa këtë qëndrim ia kishte shprehur edhe presidentes së Maqedonisë së Veriut.

Çupiq shtoi se vlerësimin përfundimtar të takimit do ta bëjë koha, ndërsa përvojat dhe përshtypjet e tij do t’ia përcjellë presidentit të ardhshëm të zgjedhur të Serbisë.

artikuj të ndërlidhura